Liderët e Ballkanit Perëndimor dhe të BE-së mblidhen sot në Tiranë për Samitin për Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian, ku do të diskutohet për integrimin ekonomik dhe transformimin e rajonit drejt Tregut të Bashkimit Evropian.
Në këtë samit nga Kosova merr pjesë kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Pjesëmarrësit janë pritur nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Plani i Rritjes, që mbulon periudhën 2024-2027, përmban një paketë prej 6 miliardë eurosh, e miratuar nga BE-ja në fund të vitit 2023, për të përkrahur përafrimin e ekonomive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor me standardet evropiane.
Për të përfituar nga këto fonde, vendet duhet t’i përfundojnë reformat e kërkuara nga BE-ja, që përfshijnë sektorin privat, tranzicionin e gjelbër dhe digjitalizimin.
Nga kjo paketë, Kosova mund të përfitojë mbi 880 milionë euro, prej të cilave mbi 250 milionë si grant pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formë kredie me kushte të favorshme.
Kosova ishte ndër të parat që miratoi agjendën e reformave, por fondet mbeten të bllokuara për shkak të mungesës së institucioneve që ta ratifikojnë marrëveshjen formale me BE-në.