Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje i respekton vendimet e gjyqtarit të Kushtetueses, Radomir Llaban kur ato vendime janë në favor të saj.
Përmes një postimin në Fcebook, Tahiri ka përmendur një rast kur Vetëvendosje e ka mirëpritur vendimin e Llabanit si gjyqtar raportues.
“Radomir Llaban ka qenë gjyqtar raportues në rastin kur Grupi Parlamentar i PDK-së kundërshtoi seancën, në të cilën u zgjodhën: Guvernatori i Bankës Qendrore; Anëtarët e Bordit të ZRRE-së; Kryesuesi dhe një anëtar i Bordit të AKP-së; Kryesuesi dhe anëtarët e Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale. Si gjyqtar raportues, Llaban e rrëzoi kërkesën e GP të PDK-së, duke legjitimuar kështu seancën ku Vetëvendosje zgjodhi drejtuesit e këtyre institucioneve. Atëherë kur Vetëvendosje dëshiron të sistemojë jashtëligjshëm anëtarë të saj në borde e pozita kyçe, vendimet e Radomir Llabanit i respektojnë dhe i lavdërojnë”, ka shkruar Tahiri në Facebook.
Një ditë më parë ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se gjyqtari i Kushtetueses, Radomir Laban, dyshohet nga autoritetet e sigurisë së Kosovës se është pjesë e BIA-s serbe.
Haxhiu ka deklaruar se ky gjyqtar përbën kërcënim për rendin kushtetues të Republikës dhe se ai bashkëpunon edhe me përgjegjësin kryesor për sulmin terrorist në Banjskë.