LAJMET E MBRËMJES

Tahiri: LVV-ja s’e kundërshtoi gjyqtarin serb kur vendosi në favor të saj

“Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka kundërshtuar vendimin që gjyqtari Radomir Laban e ka marrë në favor të saj, dy vjet më parë”, ka thënë deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri. Ai kërkoi hetime nga Prokuroria për gjyqtarin, e prej pesë ditësh organi i akuzës nuk është përgjigjur në lidhje me këtë rast

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar të martën nisjen e hetimeve ndaj gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, Radomir Laban.

Presidentja Vjosa Osmani e ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, gjatë javës së shkuar kanë deklaruar se institucionet e sigurisë e të inteligjencës kanë informacione për veprimtarinë e Labanit e që, sipas tyre, përbën rrezik për sigurinë kombëtare.

Në një konferencë për media deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se çështjes së gjyqtarit Laban do të duhej t’i jepnin epilog organet e drejtësisë.

“Nuk mundemi me mbijetu në një vend ku thjesht flasim e flasim dhe nuk ka hetime. Edhe për gjyqtarin në fjalë duhet me pasë hetime, për secilin qytetar që mundet me pasë dyshime. Hetimet nuk e pengojnë askënd me kry punën në institucionet tona, hetimet kryhen të pavarura nga Prokuroria Speciale, nga hetuesit tanë dhe duhet me ardhë deri te një epilog. A ka diçka të vërtetë apo jo?”, ka thënë Tahiri.

Në lidhje me gjyqtarin Laban e veprimet ndaj tij, përgjigje që nga e enjtja e javës së shkuar nuk kanë kthyer nga Prokuroria Speciale.

E tek ka folur për zgjedhjen e Labanit gjyqtar në Kushtetuese shtatë vjet më parë, deputeti i PDK-së ka thënë se votimi i tij nuk do të ishte i mundur pa votat e Vetëvendosjes.

Sipas Tahirit, gjyqtari serb nuk është kundërshtuar nga Vetëvendosje dy vjet më parë, kur pati vendosur në favor të saj në lidhje me seancën e 13 korrikut, e cila nga PDK-ja ishte kërkuar të anulohej.

“Znj. Kusari-Lila së bashku me Adnan Rrustemin kanë mbajtur një konferencë për shtyp dhe e kanë lavdëruar vendimin e Gjykatës Kushtetuese me standardin e tyre që sot këta kanë vendosur, atëherë i bie që vendimmarrja që ka qenë në atë seancë fatkeqësisht ka pasur infiltrim, siç thonë ata, të një shërbimi sekret që vjen nga një shtet jo mik i Republikës së Kosovës”, ka thënë Tahiri.
Caktimi i Labanit si gjyqtar raportues ka qenë arsyeja që presidentja Vjosa Osmani ka tërhequr kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese në lidhje me pasojat juridike të moskonstituimit të Kuvendit brenda 30 ditësh.

Me gjithë tërheqjen, Kushtetuesja ka në diskrecion shqyrtimin apo jo të lëndës. 

Por, nga ky institucion që nga e hëna nuk janë përgjigjur nëse kanë marrë ndonjë vendim për shqyrtimin e lëndës apo jo.