Ministrja në detyrë e drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se në kohën kur ishte dekretuar gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, Radomir Laban, nga ish presidenti Hashim Thaçi, Lëvizja Vetëvendosje kishte kërkuar që të shkarkohet. Kjo sipas saj, për shkak të së kaluarës së tij kriminale.
Por sipas saj, në përgjigje zyrtare ndaj kësaj kërkese u ishte thënë se janë duke bërë ndërhyrje në pavarësinë e tyre,
“Kur në vitin 2018, ish-Presidenti Thaçi kishte injoruar thirrjet tona për të mos e dekretuar Radomir Llabanin si gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese, për shkak të së kaluarës së tij kriminale dhe duke pasur parasysh që gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese shkarkohen nga Presidenti por paraprakisht me propozimin e 2/3 të gjyqtarëve të kësaj gjykate dhe jo nga ndonjë organ tjetër, ne i kishim drejtuar një kërkesë zyrtare ish-kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi, duke kërkuar fillimin e procedurave për shkarkimin e tij. Megjithatë, në vend që të merrej parasysh kjo kërkesë, ne kishim pranuar një përgjigje zyrtare në të cilën thuhej se kërkesa jonë përbënte ‘ndërhyrje në pavarësinë e tyre’”, ka shkruar Haxhiu.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar tërheqjen e kërkesës së dorëzuar më 22 korrik në Gjykatën Kushtetuese lidhur me seancën konstituive të Kuvendit. Arsyeja për këtë vendim është caktimi i gjyqtarit serb Radomir Laban si raportues në këtë çështje.
Presidentja Osmani ka deklaruar se ky gjyqtar, sipas raporteve të institucioneve të sigurisë të viteve 2018, 2021 dhe 2024, është identifikuar si person që paraqet rrezik për sigurinë kombëtare të Kosovës dhe ka qenë i përfshirë në veprimtari që cenojnë rendin kushtetues të vendit.
“Tërheqja e kësaj kërkese është e domosdoshme. Është absurde të pritet që rendi ynë kushtetues të mbrohet nga persona që, sipas institucioneve të sigurisë, e rrezikojnë atë”, deklaroi Osmani në konferencë për media të martën.