Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka dal me një sqarim pas reagimeve të bëra lidhur me gjyqtarin serb Radomir Laban.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka tërhequr të martën kërkesën e adresuar dy javë më parë në Gjykatën Kushtetuese për t’i definuar pasojat juridike që prodhohen pas dështimit të deputetëve për ta konstituuar Kuvendin brenda 30 ditësh.
Në një konferencë shtypi, ajo njoftoi se veprimin e ka ndërmarrë meqë gjykata e ka caktuar gjyqtar raportues Radomir Labanin. Sipas Osmanit, në bazë të informacioneve të institucioneve të sigurisë, gjyqtari serb përbën rrezik për rendin kushtetues të Kosovës.
Kushtetuesja ka thënë se ndarja e lëndëve për shqyrtim tek gjyqtarët raportues dhe kolegjet shqyrtuese në Kushtetuese bëhet në bazë të rregullave procedurale.
“Gjykata Kushtetuese, si organ kolegjial, vendimet e saj i merr në përbërje të plotë. Në këtë kontekst, është e drejtë e palëve para Gjykatës që të kërkojnë tërheqjen e kërkesave të parashtruara, të cilat Gjykata Kushtetuese i trajton bazuar në Kushtetutë, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e saj të punës”, thuhet në reagim.
E sa i përket çështjes së Labanit, Kushtetuesja ka thënë se ai punon që nga viti 2011, fillimisht në pozitën e këshilltarit juridik e më 9 gusht të vitit 2018 ushtron funksionin e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, pasi i është nënshtruar të gjitha procedurave kushtetuese e ligjore, për propozimin e tij nga Kuvendi i Kosovës dhe dekretim nga presidenti.
“Sa u përket çështjeve të ngritura përkitazi me Gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese Radomir Laban, siç jeni të informuar, i njëjti ka qenë i punësuar në Gjykatën Kushtetuese që nga viti 2011, në pozitën e Këshilltarit juridik, dhe që nga data 9 gusht 2018 ushtron funksionin e Gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, pasi i është nënshtruar të gjitha procedurave kushtetuese e ligjore, për propozimin e tij nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe dekretimit nga Presidenti i Republikës së Kosovës. Në anën tjetër, procedurat për shkarkimin e gjyqtarëve janë të përcaktuara qartë në Kushtetutë. Gjykata Kushtetuese si autoriteti përfundimtar në Republikën e Kosovës për interpretimin e Kushtetutës, në përputhje me përgjegjësitë dhe mandatin e saj, i trajton të gjitha kërkesat e dorëzuara nga palët e autorizuara me paanshmëri, përkushtim dhe profesionalizëm, ashtu siç përcaktohet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim.