Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti: As Thaçi, as kryetarja e Kushtetueses nuk ndaluan emërimin e Labanit në vitin 2018

Albin Kurti

Foto: Driton Paçarada

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se në vitin 2018, Lëvizja Vetëvendosje kishte dërguar letër në zyrën e Presidentit për sfondin penal të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, Radomir Laban, por siç thotë ai, as presidenti Hashim Thaçi dhe as kryetarja e atëhershme e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi, nuk ndërhynë për të penguar emërimin e tij.

Kurti të mërkurën u shpreh se asokohe deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, kishte dërguar një letër në zyrën e presidentit për këtë çështje, por asnjë masë nuk merrej.

“Ne që nga viti 2018 kemi qen të informuar për gjyqtarin Laban. Deputetja jonë Albulena Haxhiu i pat shkruar letër zyrës së presidentit, por fatkeqësisht as presidenti në atë kohë e as kryetarja e Gjykatës Kushtetuese e atëhershme nuk e kanë parë të arsyeshme ta ndalin një proces të tillë. Është absurde që një person i tillë, sipas informacioneve të institucioneve tona të sigurisë, është me rrezik për rendin tonë kushtetues e të gjykojë për një çështje kushtetuese”, shtoi Kurti në vizitën që ia bëri punimeve Klinikës së Kardiologjisë.

Radomir Laban u emërua gjyqtar nga Kuvendi në maj 2018, përfaqësues i komunitetit serb, me miratimin e deputetëve dhe dekretin e presidentit Thaçi

Në konferencë për media të martën, presidentja Vjosa Osmani tërhoqi kërkesën që kishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit, duke argumentuar se detyra e raportuesit në çështje i ishte besuar gjyqtarit Laban — i cili, sipas saj, paraqet rrezik për sigurinë kombëtare bazuar në informacione nga institucionet e sigurisë në vitet 2018, 2021 dhe 2024.

Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare dhe ishkryetar i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, e cilësoi veprimin e Osmanit si të qëllimshëm për të paralizuar funksionimin e Gjykatës Kushtetuese për çështjen e konstituimit që do të vendoset deri më 8 gusht.

Edhe Prokuroria Speciale s’ka pranuar asnjë raport apo informatë se gjyqtari Laban mund të jetë rrezik për sigurinë kombëtare Arbëri Prokuroria Speciale s’ka pranuar asnjë raport apo informatë se gjyqtari Laban mund të jetë rrezik për sigurinë kombëtare

Të gjitha lajmet për Radomir Laban