Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se pesë vrasjet e rënda në 48 orët e fundit, janë pasqyra më e qartë e dështimit të plotë të shtetit për të mbrojtur jetën e qytetarëve.
Në një konferencë për media të mbajtur të martën, Tahiri ka akuzuar pushtetin në largim se e ka vënë vendin në një gjendje alarmante të sigurisë, ku po mbretërojnë bandat kriminale të inkurajuara dhe mbrojtura nga vetë pushteti.
“Bandat kriminale, narkotrafikantët, fajdexhitë, janë bërë të guximshëm dhe kanë lidhje të drejtpërdrejta me pushtetin, duke u bërë pjesë e një zinxhiri të rrezikshëm që tashmë ka lidhur krimin me politikën dhe institucione të tjera ligjzbatuese. Partia Demokratike e Kosovës ju shpreh ngushëllime më të thella familjeve që kanë humbur më të dashurit e tyre nga këto vrasje. Shprehim shqetësimin e madh, për dështimin e organeve ligjzbatuese për të vendosur rend, rregull dhe të garantojnë sigurinë e qytetarëve tanë”, ka thënë ai.
Tahiri e ka bërë përgjegjëse qeverinë për humbjen e jetëve të këtyre njerëzve.
“Prezenca e këtyre kriminelëve siç është e Mefail Shkodrës padyshim që ai njeri nuk është i ftuar nga ne nga opozita por nga pushteti. Me pushtetin që ai e merr nga këta njerëz që sot i kemi nga këta njerëz ai e ka terrorizuar një qytet të tërë. Kjo nuk është një rastësi. Kjo është një lidhje e qartë e kriminelëve.. Përgjegjës direkt për humbjen e këtyre njerëzve është Qeveria”, ka shtuar ai.
Sipas deputetit të PDK-së, kjo situatë është një thirrje alarmi për të gjithë.
“Duhet të jetë misioni i secilit prej nesh çkapja e shtetit nga bandat kriminale që sot po terrorizojnë shoqërinë tonë. Rritja e numrit të armëve pa leje në duart e qytetarëve tanë, është e frikshme. Sot, aktualisht kemi rreth 250 mijë armë janë pa leje në vendin tonë. Si PDK, në legjislaturën e re, pas konsolidimit të institucioneve dhe qeverisë së re, do të iniciojë ndryshimin e Kodit Penal dhe legjislacionit përkatës për të ashpërsuar dënimet për armëmbajtjen pa leje. Kushdo që posedon apo përdorë armë ilegalisht, duhet të përballet me burg, pa përjashtim. Kosova nuk mund të jetë një vend ku jeta njerëzore humb vlerën. Dhe, jo, kjo nuk është vetëm një betejë politike. Është një betejë për jetën, për paqen, për fëmijët tanë dhe për të ardhmen e vendit”, përfundoi Tahiri.
Tahiri ka folur edhe për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për seancën konstituive. Ai ka thënë se VV-ja ka pasur angazhim me Listën Serbe më 2003 për të zgjedhur një gjyqtar në Kushtetuese.
“Kusari-Lila nuk i ka bërë ftesë PDK por i ka bërë ftesë Listës Serbe për më zgjedh gjyqtarin në Kushtetuese... kur Gjykata Kushtetuese e nxjerr një vendim për papranueshmëri (për seancën plenare te 13 korrikut)... kur e kemi kundershtuar këtë seancë GJK e ka hedh poshtë kërkesën dhe ka marrë vendim në favor të VV dhe gjyqtar raportues ka qenë Laban. Me standardin e tyre i bie që vendimmarrja që ka qenë në atë seancë fatkeqësisht ka pasur infiltrim nga një tjetër shtet”, ka thënë Tahiri në konferencë, tek ka komentuar edhe deklaratat e zyrtarëve të VV-së se gjyqtari Radomir Laban, (që ishte raportues në çështjen për seancën konstituive), është cenim për rendin kushtetues të Kosovës dhe ka lidhje me BIA-n serbe e terroristin, Milan Radoiçiq.
Tahiri ka thënë se VV-ja është dashur të dilte publikisht kur ka pasur informata për Labanin.
Ai ka thënë se edhe PDK-ja kërkon hetime nga Prokuroria për këtë rast.
“Për këdo, edhe gjyqtarin në fjalë sepse dyshimet e tilla duhet me pas një epilog të hetimeve. Nuk mundemi me mbijetu në një vend ku thjesht flasim e flasim dhe nuk ka hetime. Edhe për gjyqtarin në fjalë duhet me pas hetime, për secilin qytetar që mundet me pas dyshime. Hetimet nuk e pengojnë askënd ta kryejë punën në institucionet tona, hetimet kryhen të pavarura nga Prokuroia Speciale, nga hetuesit tanë dhe duhet me ardh deri të një epilog. A ka diçka të vërteë apo jo? Nëse ka diçka të vërtetë ne paskemi pas në zgjedhjen e këtyre institucioneve (vendimet nga seanca e 13 korriku) të infiltruar edhe faktorë të rrezikshëm edhe në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit edhe të institucioneve që përmenda, edhe miratimin e ligjit të hulumtimeve të krimeve të luftës e shumë e shumë çështje të tjera që e bëjnë problematike vendimmarrjen në këtë gjykatë shumë të rëndësishme. Ne vazhdojmë me besu në ndershmëri dhe në punën e Gjykatës Kushtetuese”, ka përfunduar ai.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të zgjedhin kreun e ri të organit ligjvënës përmes votimit të hapur dhe brenda 30 ditëve. Në njoftimin e publikuar të premten e shkuar thuhet se Kushtetuesja ka përcaktuar që kandidati i njëjtë mund të votohet vetëm deri në 3 herë dhe se të gjithë deputetët duhet të marrin pjesë në votim.
Vendimi i Kushtetueses është kritikuar nga partia fituese e zgjedhjeve të shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje.
Nga 15 prilli deri më 26 korrik, deputetët mbajtën 54 vazhdime të seancës konstituive, por dështuan. Nga 1 maji, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ndryshoi rendin e ditës, duke shmangur votimin e hapur dhe duke kërkuar formimin e një komisioni që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për kryeparlamentar. Kjo u kundërshtua nga PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe Lista Serbe, që refuzuan të propozonin anëtar për këtë komision.