Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ka thënë se Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës është dërguar në Qeveri për shqyrtim.
“Në emër të partisë Kryesisë i kërkova që fillimisht Kuvendi ta ketë deklaratë të përbashkët dhe u dakorduam ta kemi deklaratën e përbashkët në seancën që do mbahet të hënën. Më e rëndësishme është nisma ligjore që e kemi dorëzuar në Kuvend dhe prej Kuvendit nisma për mendim ka shkuar në Qeveri. Andaj presioni i të gjithëve duhet të jetë te Qeveria”, ka thënë Tahiri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
Ai ka thënë se Kuvendi duhet të sillet me përgjegjshmëri, duhet të reflektojë ndërgjegje, gatishmëri dhe duhet të bëjë veprimet e nevojshme, urgjente karshi situatës me të cilën po ballafaqohet vendi pas dënimit të ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale.
Tahiri ka thënë se kjo situatë është urgjente dhe kërkon përgjegjësi institucionale.
Ai ka thënë se kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu, është zotuar që të angazhohet që nisma për ndryshim të ligjit të trajtohet me urgjencë.
“Këtë kërkesë dhe presion e bërë te Kryesia ku Haxhiu u zotua se personalisht do të angazhohet dhe do komunikojë me kryeministrin që kjo nismë të trajtohet me urgjencë. Të mos neglizhohet dhe të sigurohet vullneti i secilës forcë politike që të bëhet amandamenti i Ligjit për Dhomat e Specializuara karshi situatës në të cilën jemi”, ka theksuar Tahiri.
Ai ka thënë se çështja e zgjedhjes së presidentit nuk është temë njëherë.
Me anë të ndryshimeve ligjore që janë propozuar nga Partia Demokratike synohet që mandati i Gjykatës Speciale të kufizohet në trajtimin e krimeve të pretenduara në raportin e Dick Martyt, si dhe të vendoset monitorim ndërkombëtar i punës së saj. Ndërsa për krimet e luftës, për të cilat u dënuan katër ish-krerët e UÇK-së, projektligji i propozuar parasheh që ato të gjykohen në Kosovë. PDK-ja e ka dorëzuar nismën në Kuvend në fillim të kësaj jave.
Ndërkohë që Besnik Tahiri i AAK-së ka thënë që Kosova ka nevojë për qëndrueshmëri politike. “E më shumë kanë nevojë ata burra në Hagë për mbështetje serioze institucionale e shtetërore”, ka theksuar Tahiri.
Haxhiu për nismën ligjore të PDK-së: Ekipet mbrojtëse s’janë konsultuar, është gabim
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka thënë se secili institucion, ashtu si edhe grupet parlamentare duhet të jenë të kujdesshme se çfarë veprimesh ndërmarrin pas vendimit të padrejtë të Gjykatës Speciale.
“Sa i përket projektligjit u munduam ta pyesim Tahirin se me kë jeni konsultuar, sepse mendoj që shumë më e drejtë të ishte që çfarëdo të bënim të vinim në Komisionin për Legjislacion dhe të draftonin një ndryshim-plotësim të ligjit. Ose që paraprakisht të konsultohen ekspertët e fushës dhe ekipet e mbrojtjes. Nuk mendoj se bëjmë mirë nëse nuk i konsultojmë ekipet mbrojtëse për çfarëdo iniciative ligjore. Sipas informacioneve, ekipet mbrojtëse nuk janë konsultuar dhe është gabim”
Ajo ka thënë se nuk e paragjykon nismën e PDK-së për ndryshim të Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës, por se ka kërkuar që të mos bëhën propozime, siç ka thënë, vetëm sa për t’u dukur.
Haxhiu ka thënë se sipas informacioneve që kanë ekipet mbrojtës të ish-rerëve të UÇK-së nuk janë konsultuar për nismn për ndyshim të Ligjit për Specialen.
“Është i rëndësishëm secili veprim nga institucionet, prej grupeve parlamentare pas vendimit të Hagës. Refuzoj të mbështes çfarëdo iniciative që ka për qëllim vetëm të duket se po bëjnë diçka. Nuk dua ta paragjykoj nismën e PDK-së por i ftoj grupet parlamentare të mos bëjnë propozime vetëm sa për t’u dukur. Në këtë fazë, pas vendimit të padrejtë, secili duhet të jemi të kujdesshëm në kuptimin e ndërmarrjes së veprimeve të duhura”, ka theksuar Haxhiu.
Ajo ka folur edhe për thirrjet që të thirret një seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit pas vendimit të Gjykatës Speciale.
Haxhiu ka thënë se nuk ka pasur asnjë kërkesë të proceduar në Kuvend për seancë.
“Janë bërë kritika në drejtim timin pse nuk kam thirrur seancë të jashtëzakonshme pas vendimit të Hagës. Më lejoni t’ua sqaroj nuk ka pasur asnjë kërkesë që është proceduar në Kuvend për seancë”, është shprehur Haxhiu.