Me anë të ndryshimeve ligjore në Partinë Demokratike synojnë që mandati i Gjykatës Speciale të kufizohet në trajtimin e krimeve të pretenduara në raportin e Dick Martyt, si dhe të vendoset monitorim ndërkombëtar i punës së saj. Ndërsa për krimet e luftës, për të cilat u dënuan katër ish-krerët e UÇK-së, projektligji i propozuar parasheh që ato të gjykohen në Kosovë. PDK-ja e ka dorëzuar nismën në Kuvend, konstituimin e të cilit e ka kontestuar në Kushtetuese
Kufizim të mandatit të Gjykatës Speciale në Hagë dhe monitorim ndërkombëtar të punës së saj, synon Partia Demokratike përmes ndryshimeve ligjore.
Të hënën, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, njoftoi se kanë proceduar në Kuvend nismën për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e prokurorit të Specializuar.
Hamza ka thënë se meqë Specialja u krijua për të adresuar pretendimet e ngritura në raportin e Dick Martyt, në Hagë duhet të gjykohen akuzat që kanë të bëjnë me trafikim organesh dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa rastet që kanë të bëjnë me krime të luftës të barten në Kosovë.
“Projektligji parashikon gjithashtu që, kur një rast nuk hyn në këtë juridiksion, ai të transferohet në Kosovë se bashku me dosjen, provat dhe materialet e tij. Pra drejtësia vazhdon, por vazhdon aty ku ligji thotë se duhet të vazhdojë”, tha Hamza.
Të mërkurën, Specialja shqiptoi dënim me burgim prej 81 vjetësh për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin për krime lufte, e i shpalli të pafajshëm për krime kundër njerëzimit.
Edhe
PDK-ja i drejtohet “Kuvendit jokushtetues” – propozon kufizimin e mandatit të Speciales
Për këtë rast, Hamza tha se projektligji parasheh që procedura e Apelit të vazhdojë në Hagë, ndërsa pas përfundimit të saj, çështja të trajtohet në Kosovë, përfshirë mundësinë e rigjykimit ose procedurës para Gjykatës Supreme, pasi projektligji parasheh heqjen e kompetencës së Speciales për krimet e luftës.
Sipas kryetarit të PDK-së, Specialja duhet t’i nënshtrohet transparencës dhe llogaridhënies.
Hamza u shpreh se edhe kjo çështje është adresuar në projektligjin e propozuar.
“Projektligji propozon që organizata ndërkombëtare profesionale dhe të pavarura të mund të autorizohen për të monitoruar punën e tyre. Jo për të ndërhyrë në aktgjykime, jo për t’u treguar gjyqtarëve se si të vendosin, por për të parë nëse respektohen të drejtat e njeriut, standardet e gjykimit të drejtë, kushtet e paraburgimit, mbrojtja e dëshmitarëve dhe kohëzgjatja e proceseve”, tha Hamza.
Që ky projektligj të hyjë në fuqi, nevojitet miratimi i shumicës në Kuvend.
Hamza e la të hapur që t’i tërheqë dy lëndët nga Gjykata Kushtetuese që kanë të bëjnë me konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, nëse merr garanci për mbështetjen e nismës ligjore të propozuar të hënën.
Edhe
Kufizimi i mandatit dhe transferimi i rasteve në Kosovë. Çfarë përmban ligji i ri për Specialen?
“Partia Demokratike e Kosovës, gjithmonë do ta ketë prioritet të prioriteteve ligjin. Ky ligj pa ardhur që të trajtohet në Kuvend nuk tërhiqet. Veç deputetët e Kuvendit të Kosovës mundem ta, nuk po dua të paragjykoj negativisht, por po e them ndryshe, ata duhet ta përkrahin me votë pozitive. PDK-ja nuk e tërheq këtë ligj, edhe e dinë ata kujt po i referohem”, tha Hamza.
Në dhjetor të vitit 2010, para Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, senatori zviceran, Dick Marty, prezantoi raportin në të cilin pretendohej se pjesëtarë të UÇK-së janë përfshirë në trafikim të organeve njerëzore dhe krime të tjera.
Mbi bazën e këtij raporti ishte ngritur një task-forcë hetuese e udhëhequr nga prokurori Clint Williamson, i cili pas hetimit konstatoi që nuk ka prova për trafikim organesh, por se ka dëshmi të mjaftueshme për një aktakuzë për krime të tjera.
Gjykata Speciale u themelua falë ndryshimeve Kushtetuese e ligjore të miratuara në Kuvendin e Kosovës në gusht të 2015-s.
Në mbështetje nismës së PDK-së i ka dalë edhe Aleanca.
Edhe
Hamza: Optimist se Ligji për Specialen do të votohet, PDK-ja e hapur për çështjen e presidentit
“Aleanca, duke mbetur konsistente me qëndrimin e saj institucional që nga fillimi, mbështet çdo iniciativë ligjore dhe demokratike që synon vendosjen e drejtësisë në procesin gjyqësor ndaj krerëve të UÇK-së në Hagë”, thuhet në njoftimin e Aleancës.
Tutje thuhet se Kosova dhe institucionet e saj “duhet të bëjnë gjithçka që ky proces të përfundojë ashtu siç duhet, me drejtësi të plotë”.