Është zbardhur përmbajtja e projektligjit të propozuar nga PDK-ja, nëpërmjet të cilit synohet t’i kufizohet Gjykatës Speciale juridiksioni lëndor, territorial e kohor. Bazuar në të, gjykata duhet të trajtojë vetëm krimet e supozuara që ndërlidhen me heqjen e organeve dhe që pretendohet se kanë ndodhur pas lufte, nga 1 korriku i vitit 1999 deri më 31 dhjetor të vitit 2000.
Propozimi i Partisë Demokratike të Kosovës për ta ndryshuar Ligjin për Gjykatën Speciale përmban dispozita që synojnë t’ia kufizojnë mandatin lëndor, edhe kohor e edhe territorial kësaj gjykate me seli në Hagë.
Ligji në fuqi i jep kompetencë gjykatës të vendosë mbi veprat penale të kryera mes periudhës 1 janar 1998 dhe 31 dhjetor 2000. Por, me ndryshimet e propozuara, synohet të kufizohet juridiksioni në vepra të kryera vetëm pas luftës – nga 1 korriku i vitit 1999 deri më 31 dhjetor të vitit 2000.
Projektligji përcakton edhe cilat vepra penale do të mund të gjykoheshin në Speciale.
Neni 2 e kufizon juridiksionin në vepra specifike, të lidhura me nxjerrjen, heqjen dhe trafikimin e paligjshëm i organeve, indeve ose qelizave njerëzore, siç identifikohet dhe pretendohet specifikisht në Raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Po ashtu, edhe veprat si vrasja e paligjshme, tortura ose trajtimi mizor dhe çnjerëzor i kryer në vendet specifike të ndalimit të emërtuara shprehimisht në Raport, dhe kur akte të tilla janë kryer drejtpërdrejt ose në lidhje të menjëhershme me veprimet e marrjes së organeve.
“Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk kanë juridiksion lëndor (ratione materiae) mbi krimet e përgjithshme të luftës, krimet kundër njerëzimit ose dhunën politike të kryer në Kosovë që nuk përbëjnë element të drejtpërdrejtë dhe përbërës të akteve specifike të numëruara në paragrafin 1 të këtij neni”, thuhet në nenin 2 të projektligjit.
Ndërkaq, neni 6 parasheh që procedurat aktive që nuk bien në juridiksionin e ri të Speciales, e po ashtu edhe aktakuzat e konfirmuara dhe gjykimet, të transferohen në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndërsa kallëzimet penale, hetimet dhe dosjet e ndjekjes, t’i kalojnë Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Për personat e paraburgosur, projektligji i hartuar nga PDK-ja parasheh transferimin në Kosovë.
Edhe
PDK-ja i drejtohet “Kuvendit jokushtetues” – propozon kufizimin e mandatit të Speciales
“Autoriteti pranues ndërmerr pa vonesë veprimet e nevojshme që personi të paraqitet para gjyqtarit kompetent jo më vonë se dyzet e tetë (48) orë nga mbërritja e tij në territorin e Republikës së Kosovës. Gjykata kompetente shqyrton në mënyrë të pavarur ligjshmërinë dhe nevojën e vazhdimit të privimit nga liria dhe vendos për paraburgimin ose masat alternative sipas Kodit të Procedurës Penale”, parashihet në projektligj.
Një nen tjetër përcakton që Specialja të mund t’i shqiptojë një personi të dënuar dënim me burgim në kohëzgjatje jo më të gjatë se 15 vjet.
Ndërsa, neni 17 parasheh se të dënuarit me aktgjykim të formës së prerë mund të jenë subjekt i faljes individuale nga presidenti i Kosovës.
-
PDK-ja synon që gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve të bartet në Kosovë
-
Gruda: Kushtetuesja e Speciales s’do të ketë juridiksion për të shfuqizuar ndryshimet në ligj
-
Ministria e Drejtësisë: Ndryshimet në Ligjin për Specialen kërkojnë shqyrtim të specializuar në Kuvend
-
Katër ditë afat për presidentin, Ligji për Specialen në duar të deputetëve