I akuzuari për vrasjen e V.B. më 2023 në Podujevë, Arsim Syla, është paraqitur të hënën para Gjykatës për të vazhduar mbrojtjen e tij lidhur me vrasjen për të cilën akuzohet se e ka kryer në bashkëkryerje me djalin e tij të mitur, L.S.
Gjatë seancës, Syla ka dhënë deklaratën e tij para trupit gjykues, duke iu përgjigjur pyetjeve të avokatit mbrojtës, Besnik Berisha.
Ai ka mohuar kategorikisht pretendimet e Prokurorisë se kishte planifikuar apo nxitur veprën penale, duke deklaruar se qëndrimi i tij në supermarketin ku ndodhi ngjarja, kishte zgjatur rreth një orë dhe se pas vërejtjes së veturës së viktimës kishte vendosur të largohej për të shmangur përballjen. Sipas tij, ai ishte ndarë nga i mituri dhe ishte kthyer në shtëpi, ndërsa djali ishte kthyer i vetëm në market për të blerë ushqime.
Syla ka theksuar se nga pozicioni ku ndodhej nuk kishte mundësi të shihte ndonjë ngjarje për shkak të pengesave fizike brenda marketit, duke shtuar se kishte parë vetëm veturën e të ndjerit.
Ai ka deklaruar se i mituri nuk kishte asnjë qëllim për ndjekje apo kryerje të krimit, por se planet e tij kishin qenë të shkojë në qytet për ta takuar të dashurën.
“Nuk ekziston në botë prind që e çon fëmijën e tij drejt një vepre kaq të rëndë, drejt një krimi që ia shkatërron jetën përgjithmonë. Unë jam prind, e kam rritur, e kam ushqyer me këshilla dhe edukatë. I kam qëndruar tërë jetën prapa. I nderuar trup gjykues, nuk ekziston prind në këtë botë që lejon fëmijën e tij të takohet e ballafaqohet me kriminel siç ishte i ndjeri me grupin e tij. Po ta dija apo kuptoja, me çdo kusht apo çmim do e parandaloja. Ata plumba pa më goditur mua, nuk do e godisnin as Valmirin, sepse sa i përket meje V.B, do të jetonte edhe 100 vjet tjera i lumtur bashkë me familjen tij”, ka thënë Syla.
Prokuroria Themelore në Prishtinë më 18 mars 2024 kishte ngritur aktakuzë kundër të akuzuarit Arsim Syla, pasi që i njëjti, me qëllim të hakmarrjes dhe për shkak të një konflikti që kishte pasur më herët gjatë vitit 2022 me tani të ndjerin V.B. dhe Sh.R., kishte porositur djalin e tij të mitur L.S. që ta privojë nga jeta tani të ndjerin V.B.
Sipas aktakuzës, më 11 shtator 2023, i pandehuri Syla dhe djali i tij i mitur L.S. kishin shkuar në kafiterinë e një supermarketi në Podujevë, ku rreth orës 12:19 kishin vërejtur tani të ndjerin V.B., duke hyrë në market bashkë me bashkëshorten e tij, të dëmtuarën L.S., dhe fëmijën e tyre 4-vjeçar. Sipas aktakuzës, i pandehuri Syla dhe djali i tij L.S. dolën nga restoranti, ku Syla e orienton të miturin L.S. në drejtim të të ndjerit V.B., i cili vihet në ndjekje të tij, ndërsa Syla vazhdon të dalë nga objekti.
Në momentin kur i ndjeri V.B. bashkë me bashkëshorten dhe fëmijën e tij arrijnë tek sektori i produkteve të qumështit, i mituri L.S. i afrohet nga mbrapa dhe fillimisht shtie dy herë në drejtim të të ndjerit.