Gazetari Valon Syla ka reaguar lidhur me arrestimin e tij gjatë javës i dyshuar për veprat “Dhunë në familje” dhe “Lëndim i lehtë trupor”.
Syla në Facebook ka shkruar se nuk bëhet fjalë për dhunë fizike ashtu siç është paragjykuar në publik.
“Sapo dola nga 2 ditë arrest, dhe u këndella me ju shkru juve që më keni shkruar dhe keni raportuar. Pikë së pari, e dashura ime është shumë zonjë dhe e veçantë për të qenë unë i dhunshëm e që s’jam, në kuptimin që mund të kuptohet në publik si boksa e shkelma apo rrahje... ky rast nuk ka të bëj me një gjë të tillë, por më shumë ishte një fjalosje apo përlamje... me ngrehje krahu (tjerat i gjeni në dosje të gjyqit) e për çka i kërkoj falje asaj, familjes së saj dhe times, e sidomos nënës së saj dhe times”, ka shkruar ai.
Ai ka shpjeguar se pasi ishte arrestuar, ishte liruar me procedurë të rregullt, porse nga Policia pas pesë orësh i ishte kërkuar të paraqitej sërish në stacion.
Syla pretendon se kjo u bë me presion të ministres së Drejtësisë në detyrë, Albulena Haxhiu.
“Më liruan në ora 8e30 në mëngjes me procedurë të rregullt dhe shkova në shtëpi ku fjeta se isha i lodhur, por i lirë...Por, këtu ndodhi diçka tjetër... pas 5 ore erdhi policia te dera dhe më kërkoi të shkoj përsëri në stacion dhe në ora 13e30 me 2 pyetje shtesë me urdhër të Prokurores më dërguan në arrest për 48 orë... nuk kishte ndërruar ndonjë fakt prej kur më liruan në mëngjes apo nuk kishte ndodhur diçka shtesë thjeshtë ishte një masë e cila me presion nga lartë u ekzekutua...Për këtë nuk e kërkonte e as nuk e kishte paramenduar e dashura ime... e as nuk pajtohej me një masë të tillë por kjo më shumë dukej presion mbi drejtësinë e cila shihet edhe në statuset e Ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu e cila shkruan se pse njerëzit që dalin në TV të kalojnë më lehtë”, ka shkruar ai.
Syla tutje ka shtuar se anipse është linçuar në publik, ai beson se drejtësia do ta thotë fjalën e saj.
“Edhe kjo pasi i hëngra 2 ditë burg, dhe u linçova si monstrum i dhunshëm... u bë me një mënyrë të paqenë ligjore... u akuzova për dhunë në familje, pa qenë ende në një marrëdhënie familjare e as bashkëjetese. Një fjalosje dhe nervoza pasuese e momentit u klasifikua si dhunë psikologjike... e më e rëndësishmja u gjykova nga Ministrja e Drejtësisë, eksponentët e VV's dhe turma, ende pa filluar gjykimi ligjor e ende pa pasur as aktakuzë… Andaj në këto ditë ju them se besoj në drejtësi dhe drejtësia do të triumfoj”, ka shkruar ai.