Arbëri

Lirohet Gëzim Sveçla

Shefi i asamblistëve të Vetëvendosjes në Prishtinë, Gëzim Sveçla

(E përditësuar 13:35) - Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni për Çështje Penale ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj shefit të asamblistëve i Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla, duke vendosur që i njëjti të mbrohet në liri.

Sveçla dyshohet për veprën penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, për rastin e demolimit të mikrofonit në Kuvendin Komunal në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Në njoftim thuhet se gjyqtarja e procedurës paraprake ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak dhe i pandehur lirohet të mbrohet në liri.

“Gjykata pas dëgjimit të palëve dhe analizimit të kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak, konstatoi se kërkesa për caktimin e masës së arrestit shtëpiak për të pandehurin G.S. është e pabazuar dhe shkon përtej qëllimit të masave për sigurimin e pranisë së të pandehurve në procedurë, pengimin e rikryerjes së veprës penale dhe për zbatimin e suksesshëm të procedurës dhe meqenëse nuk janë plotësuar kushtet për caktimin e masës së propozuar dhe as të ndonjë mase tjetër më të butë, gjykata vendosi që i pandehuri G.S. të mbrohet në liri”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, në njoftim theksohet se qëllimi i masave të parapara në nenin 171 të Kodit të Procedurës Penale, është  sigurimi i pranisë së të pandehurve në procedurë, pengimi i rikryerjes së veprës penale dhe zbatimi i suksesshëm i procedurës, dhe se këto masa nuk paraqesin ndëshkim për personin e dyshuar për kryerjen e një vepre penale.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri me datë 09.12.2024 rreth orës 10:45, në sallën e Kuvendit të Komunës së Prishtinës, në momentin që anëtarët e Kuvendit të Komunës largohen nga salla për një pushim (pauzë), i pandehuri G.S anëtar i Kuvendit të Komunës së Prishtinës, me qëllim të ndërprerjes së seancës së Kuvendit të Komunës, e që si pikë e rendit të  ditës ishte edhe miratimi i buxhetit të Komunës së Prishtinës për vitin 2025, me dashje e ka dëmtuar pasurinë e personit tjetër respektivisht pronën publike (mikrofonin) e vendosur tek tavolina e  Kryesuesit të Kuvendit të Komunës, me ç’ rast të dëmtuarës Kuvendit të Komunës së Prishtinës  i ka shkaktuar dëm material”, thuhet në njoftim.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.


Sveçla dërgohet në Gjykatë pasi shkuli mikrofonin e Kuvendit Komunal

Shefi i asamblistëve i Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla, është dërguar të mërkurën para Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku pritet të mbahet seanca dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë, ka raportuar “Betimipërdrejtësi”.

Ai ishte ndaluar të hënën pasi ka shkulur mikrofonin në Kuvendin Komunal në Prishtinë.

Ndaj Sveçlës, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka paraqitur kërkesë për caktimin e arrestit shtëpiak.

Zëdhënësi i Prokurorisë, Gent Sallauka ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” se ndaj shefit të asamblistëve të VV-së është kërkuar caktimi i arrestit shtëpiak nën dyshimin për “Asgjësim apo dëmtim të pasurisë”.

“Ju njoftojmë se prokurori i rastit në këtë çështje penale ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve për shkak të veprës penale ‘Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë’ si dhe ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj të dyshuarit, si masë për sigurimin e prezencës së tij në procedurë penale dhe se do të ndërmerren me kohë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me këtë rast”, ka njoftuar zëdhënësi i Prokurorisë, Gent Sallauka.

Sveçla kishte deklaruar se shkuljen e mikrofonit në Kuvendin Komunal e kishte bërë për të shpërfaqur “një pazar të madh në Prishtinë".