Kërkesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj shefit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Gëzim Sveçla, është refuzuar nga Gjykata. Ai dyshohet për veprën penale asgjësim apo dëmtim i pasurisë dhe do të mbrohet në liri
Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj shefit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla.
Ai u arrestua të hënën dhe me vendim të prokurorit u dërgua në mbajtje për 48 orë nën dyshimin për veprën penale “asgjësim apo dëmtim i pasurisë”.
Por kërkesa e organit të akuzës për masën e arrestit shtëpiak u rrëzua si e pabazuar nga Gjykata të mërkurën.
Ndaj Sveçlës do të vazhdojnë hetimet, por ai do të mbrohet në liri.
“Gjykata pas dëgjimit të palëve dhe analizimit të kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak konstatoi se kërkesa për caktimin e masës së arrestit shtëpiak për të pandehurin G.S. është e pabazuar dhe shkon përtej qëllimit të masave për sigurimin e pranisë së të pandehurve në procedurë, pengimin e rikryerjes së veprës penale dhe për zbatimin e suksesshëm të procedurës, dhe meqenëse nuk janë plotësuar kushtet për caktimin e masës së propozuar dhe as të ndonjë mase tjetër më të butë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Sveçla u arrestua pasi shkuli mikrofonin e kryesuesit në Kuvendin Komunal të Prishtinës, pas seancës ku u votua buxheti i Komunës për vitin 2025, e të cilin proces e mundësuan edhe dy asamblistë të Vetëvendosjes.
Sveçla e arsyetoi veprimin, siç tha, për të shpërfaqur “një pazar të madh në Prishtinë" dhe e cilësoi si aksion simbolik.
Veprimin e Sveçlës në sallën e Kuvendit, Komuna e Prishtinës e cilësoi si goditje brutale ndaj vlerave institucionale.