Stuhia e së shtunës në një lagje në Davidovc të Shtimes, ka bërë që disa banorë të saj të mos kenë qasje në rrugë magjistrale. E në Ferizaj u dëmtua rrjeti i energjisë elektrike. Erërat e forta në këtë komunë rrëzuan disa drunj, e madje dëmtoi edhe çatinë e objektit të Komunës. Në KEDS kanë njoftuar se rajoni i Zhurit dhe ai i Dragashit vazhdojnë të mos kenë furnizim të rregullt me energji elektrike. Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka kërkuar që shteti ta krijojë një fond emergjent për komuna.
Parku i ndërtuar në Davidovc të Shtimes i ka sjellë dëme një lagjeje që gjendet afër këtij parku.
Sa herë që ka të reshura, uji grumbullohet në rrugën që të shpie te kjo lagje dhe e bën të vështirë kalimin.
Ilmi Sadriu, kryetar i fshatit Davidovc, ka thënë që Komuna i ka premtuar që shpejt do të rregullohet ky problem.
“Është e vërtetë që është dëmtuar dhe është e vërtetë që nëse ka reshje grumbullohet uji, por brenda një periudhe shumë të shkurtër do të riparohet rruga. Është e vërtetë që kanali ka ekzistuar por është mbyllur për shkak të punimeve, kanali do të hapet, sipas premtimeve do të rregullohet edhe rruga”, ka thënë Sadriu.
E nga stuhia e së shtunës dëme ka pasur edhe në Komunën e Ferizajt. Këtë lis në oborrin e shkollës “Shaban Hashani”, era e fortë e shkuli nga dheu.
Zëdhënësi i Komunës së Ferizajt, Selim Marevci, ka thënë që të shtunën janë rrëzuar edhe disa shtylla elektrike. Era e ka dëmtuar edhe çatinë e kësaj komune.
“Ferizajn, mbas ditën e djeshme e kaploi një shi i jashtëzakonshëm dhe i rrëmbyeshëm. Mirëpo, fatmirësisht ta quajmë, pavarësisht që ishte shiu i jashtëzakonshëm dëme në Komunën e Ferizajt nuk kishte shumë, përpos disa dëmeve të vogla. Siç është rasti i rrëzimit të shtyllave elektrike te qendra në Komunën e Ferizajt, pastaj, edhe dëmtimi i shumë pemëve në regjionin tonë”, ka thënë Marevci.
Ndërsa kompania që merret me shpërndarjen e energjisë elektrike ka njoftuar se shkaku i prishjeve nga shiu dhe erërat e forta, rajoni i Zhurit dhe ai i Dragashit vazhdojnë të mos kenë furnizim të rregullt me energji elektrike.
Kanë njoftuar se ekipet e KEDS-it janë në terren dhe po punojnë që konsumatorëve t’ua kthejnë sa më parë furnizimin me energji elektrike, për çka kanë kërkuar mirëkuptimin e tyre.
E Sazan Ibrahimi, kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës, ka kërkuar nga institucionet qendrore që të krijojnë një fond të posaçëm për komunat e prekura nga vërshimet.
“Ne si Asociacion edhe më herët kemi kërkuar që të kemi një fond emergjent për Komuna, domethënë kur kemi dukuri të tilla që institucionet e Republikës së Kosovës, në këtë rast institucione janë edhe autoritetet lokale sepse nuk janë vetëm autoritetet qendrore që janë të parapara me kushtetutë, por janë edhe institucionet lokale, t’u dalin në ndihmë qytetarëve të Komunave përkatëse, sa më shpejt që është e mundur”, ka deklaruar Ibrahimi.
Ibrahimi ka thënë që qytetarët e prekur nga vërshimet në janar të këtij viti ende nuk kanë marrë ndonjë kompensim nga niveli qendror.
Në fshatin Sadovinë e Jerlive në Viti, era e fortë të shtunën ka rrëzuar edhe shtatoren e heronjve Gursel dhe Bajram Sylejmani.
E Komuna e Prishtinës ka njoftuar se ka intervenuar në 13 raste të ndryshme.