Përmes dy marsheve protestuese e bojkotim të ligjëratave, studentët do të kërkojnë të mërkurën përjashtimin e profesorit Bekim Bejta. Përveç përjashtimit të tij, ata thonë se do të kërkojnë përgjegjësi nga Dekanati e Rektorati për tolerim ndër vite të sjelljeve joetike të profesorit Bejta.
Me protesta e bojkotim të ligjëratave, të mërkurën do të kërkohet përjashtimi i profesorit në Fakultetin e Filologjisë, Bekim Bejta, i cili është akuzuar nga studentët për kërcënim e ushtrim të dhunës psikologjike.
Përmes dy marsheve protestuese në të njëjtën ditë, të thirrura nga Lëvizja Feministe Studentore e nga Këshilli Studentor i Fakultetit të Filologjisë, studentët thonë se do kërkojnë përgjegjësi nga Dekanati e Rektorati për tolerim ndër vite të sjelljeve joetike të profesorit në Departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Angleze.
“Për atë arsye dikush duhet me marrë përgjegjësi se rasti është në Fakultetin e Filologjisë me vjet të tëra…Pra, protesta do të fillojë në orën 11:00 te Fakulteti i Filologjisë, për të vazhduar te ndërtesa e Rektoratit, ku aty planifikohet që kemi me u ulë”, tha Anita Mjeku nga Lëvizja Feministe Studentore.
Këshilli Studentor i Fakultetit të Filologjisë ka paralajmëruar përshkallëzim të veprimeve nëse nuk përjashtohet profesori Bejta.
“Ne edhe përmes emaileve dhe rrugëve të tjera komunikuese kemi kërkuar llogari dhe përgjegjësi ndaj rastit në fjalë nga instancat udhëheqëse jo vetëm tani, por edhe më herët. Të mërkurën do të jemi zëri i studentëve dhe reagimet tona vetëm do të përshkallëzohen në rast se nuk ka diçka konkrete nga Rektorati”, thuhet nga Këshilli Studentor i Fakultetit të Filologjisë.
Protestat e paralajmëruara nuk i ka komentuar profesori Bejta gjatë ditës së hënë.
Për akuzat e sjelljet joetike në ambientet akademike të profesorit, i cili është i angazhuar në Universitet tash e 15 vjet, Lindita Sejdiu-Rugova, e cila është dekane qe gati tetë vjet, nuk ka dhënë asnjë sqarim. Tash e dy javë ajo nuk është përgjigjur në pyetjet e KOHËS.
E pararendësi i saj, Sedat Kuçi, i cili ishte dekan në periudhën 2012-2016, ka thënë se ankesat e studentëve i ka trajtuar përmes një takimi konsultues me profesorin.
“Gjatë mandatit tim si dekan i Fakultetit, aty nga mesi, sa më kujtohet ( 2015), kam pasur ankesa me gojë të studenteve dhe studentëve për sjellje jo të mira të profesor Bekim Bejtës. Pas kësaj, në zyrën time të Dekanatit e kam zhvilluar një bisedë me profesorin dhe e kam njoftuar për ankesat e studentëve. Derisa kam qenë dekan nuk ka pasur më ankesa”, tha Kuçi.
E Osman Gashi, i cili ishte dekan para 14 vjetësh, nuk ka pranuar të japë informata nëse edhe gjatë kohës së tij ka pasur ankesa nga studentët për sjelljet e profesorit Bejta.
Për numrin e denoncimeve që studentët i kanë bërë ndër vite ndaj profesorit Bejta nuk kanë dhënë informacione tash e dy javë as në Rektorat. Ende nuk ka një qëndrim ndaj këtij rasti as nga Ministria e Arsimit.
Në audioincizimet e publikuara nga KOHA, profesori Bejta dëgjohet duke kërcënuar një studente me përdorim të gjuhës denigruese, si dhe duke bërë ofertë për kalimin e provimit. Profesori Bejta në një përgjigje gjatë javës së kaluar i ka mohuar akuzat e studentëve. Në e-mailin e tij ai nuk u kursye në përdorimin e gjuhës kërcënuese.