Banorët e disa fshatrave të Ferizajt gjatë ditës janë përballur me vërshime pas të reshurave të shiut, mirëpo dëme më të mëdha janë shkaktuar në fshatin Sojevë. Vërshimet më së shumti kanë dëmtuar kulturat bujqësore, oborret e shtëpive, bodrumet, piset e ujit të pijshëm etj.
Shemsedin Sojeva, banor nga fshati Sojevë, ka kërkuar nga komuna të organizohet për pastrimin e puseve të ujit pasi që fshati nuk ka rrjetë të ujësjellësit.
“Nuk kemi ujësjellës, ndërkohë pas vërshimeve puset (bunarët) nëpër oborre janë dëmtuar dhe janë mbushur me ujëra të zeza. Po ashtu kemi dëme edhe nëpër kultura bujqësore, në oborre, në bodrume etj. Ne kërkojmë nga komuna të paktën të mobilizohen për pastrimin e puseve sepse kemi mbetur pa ujë të pijshëm”, ka thënë Sojeva për KOHËN.
Në anën tjetër zyrtarët komunalë gjatë ditës së sotme janë zotuar se kanë planifikuar investime në terren për rregullimin e shtretërve të lumenjve me qëllim të parandalimit të vërshimeve.
Po ashtu ekipet emergjente gjatë ditës kanë dalë në terren në disa fshatra për t’i identifikuar dëmet e shkaktuara nga breshri dhe ndërkohë janë zotuar për t’i dalë në ndihmë qytetarëve.
