Reshjet e pandërprera të shiut që nisën mbrëmjen e së hënës bënë që lumi Drini i Bardhë të dalë nga shtrati, duke përmbytur disa fshatra të Hasit të Prizrenit. Pasi uji është larguar nga katet përdhese të shtëpive, banorët thonë se dëmet janë të mëdha.
Kur uji është larguar, ka lënë pas pasojat nga përmbytja e pronave të Sadik Canajt nga fshati Krajk i Hasit të Prizrenit.
Dalja e lumit Drini i Bardhë nga shtrati, pas reshjeve të pandërprera të shiut që nisën mbrëmjen e së hënës, ka shkatërruar pothuajse gjithçka në katet përdhese të dy shtëpive të tij.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPajisjet dhe orenditë shtëpiake janë bërë të papërdorshme, ndërsa ai me familjen, që nga e marta, po shfrytëzojnë vetëm katin e dytë të shtëpisë, pa energji elektrike dhe pa ngrohje.
“Në katet e para të dy shpive asgjë nuk ka mbetur pa u prish. Është e shkatërrume çdo send, me pajisje, me makina, e çdo send... Do me thanë çka i përket një shtëpie normal që i ka, këtu janë të zhdukura krejt. Me ardhë kush, s’na ka ardhë. As ndihma… bile bile të komunës me u dokë… na ma së pari as rrymë nuk kemi, as dru. Na jem në këtë gjendje midis dimrit pa rrymë e dru”, ka thënë ai.
Pas vërshimeve, u përmbytën edhe tri shtëpi të familjes Totaj në Gjonaj të Hasit, të cilët me vite jetojnë në Kroaci.
Bekim Totaj u detyrua që, së bashku me familjen, të kthehet nga mërgimi për të bërë sanimin e dëmeve.
“Gjendja pas vërshimeve është shumë e rënd, siç po e shihni edhe vetë. Jemi duke u mundu me pastru, dëme na ka bo shumë e tash mujshim me pastru me ba diçka. Shumë e vështirë, ka shumë balt tash”, ka thënë ai.
Përveç dëmeve në katin përdhese, pasojat e tjera të vërshimeve i përshkruan edhe Shemsije Cikaj nga fshati Gjonaj.
“Na i ka prish odat, na i ka marr lopët, na e ka marrë ushqimin, na i ka marr drutë, sen s’na ka lanë. Atje na kanë dëmtu 400 duj, 2 kosha kollomoq, një viç në humbje, 100 copa pula i kam në humbje, krejt sendet përmbys na i ka kthy”, ka thënë Cikaj.
Kryetari i Komunës së Prizrenit ka thënë se gjendja momentale në Has është më e menaxhueshme, pasi niveli i lumit ka filluar të bjerë.
Ai ka theksuar se mungesa e buxhetit po e pamundëson ndihmën për të gjithë banorët e prekur.
“Ne nuk kemi kapacitete për të shkuar nëpër çdo shtëpi e çdo derë me i pa se cilat janë nevojat e njerëzve. Për këtë arsye edhe e theksova se me u pas kyçë Qeveria ka ma shumë kapacitete, resurse edhe kish pas mundësi me jep kontribut më të madh. Ne jemi mundu, me aq sa kemi kapacitete kemi intervenuar, por nuk kemi arrit me mbërri deri te secili qytetar”, ka thënë ai.
Përveç Hasit të Prizrenit, vërshimet nga reshjet e fundit të shiut kanë përfshirë edhe Gjakovën, Malishevën, Rahovecin, Drenasin, Skenderajn, Klinën, Fushë-Kosovën dhe Mitrovicën e Jugut, si dhe komunat e veriut.