Mbeturinat e hedhura ndër vite, dëmtimi i shtretërve dhe ndërtimet pranë lumenjve janë konsideruar si shkaktarët kryesorë që çuan në vërshime të përsëritura të zonave. Agjencia e Menaxhimit Emergjent dhe ekspertë të mjedisit pos shkaqeve, kanë dhënë edhe rekomandime për institucionet përgjegjëse si të veprojnë
Me daljen nga shtrati, lumenjtë nxorën në sipërfaqe gjithçka që për vite ua kishte zënë frymën. Mbeturina, mbetje ndërtimore e kanalizime që përfunduan në shtrat, janë shpërndarë në hapësirat ku uji ka vërshuar pas reshjeve të dendura të shiut në janar.
Përveç mbeturinave, shkaktarë të tjerë të daljes nga shtrati të lumenjve në Kosovë janë edhe deformimi i shtretërve të tyre si dhe ndërtimet e pakontrolluara pranë lumenjve, ka thënë ushtruesi i detyrës së kryeshefit të Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, Shefki Abdullahu. Sipas tij, shumica e lumenjve janë degraduar pas luftës.
“Të gjithë lumenjtë të cilët në Kosovë vërshojnë komunat të cilat shpeshherë edhe përsëriten d.m.th. janë pikërisht ata lumenj që nuk janë mirëmbajtur apo shtrati i tyre është deformuar në mënyrë të egër pas luftës d.m.th. rërë që kanë nxjerrë e të gjitha ato kompani që kanë vepruar por njëkohësisht edhe hedhja e mbeturinave në lumenjtë kanë shkaktuar… çdo lum është i degraduar dhe duhet të mirëmbahet dhe pastrohet”, ka thënë Abdullahu.
Në një konferencë të enjten lidhur me situatën e krijuar nga vërshimet e fundit, ai foli edhe për rekomandimet që Agjencia ua ka përcjellë institucioneve përgjegjëse, me qëllim të zvogëlimit të rrezikut nga vërshimet.
“Nga analizat dhe vlerësimet tona kemi nxjerrë disa rekomandime konkrete, duke përfshirë pastrimin dhe mirëmbajtjen e rregullt të shtretërve të lumenjve, monitorimin e vazhdueshëm të zonave me rrezik të lartë, hartimin dhe zbatimin e planeve lokale për menaxhimin e rrezikut nga fatkeqësitë natyrore, ndarjen e qartë të përgjegjësive ndërmjet nivelit lokal dhe atij qendror, ndalimin e ndërtimeve në zona të rrezikuara nga vërshimet, rritjen e kapaciteteve të reagimit emergjent përmes trajnimeve dhe pajisjes adekuate, si dhe forcimin e sistemit të paralajmërimit të hershëm”.
E njohësi i çështjeve të mjedisit, Ilir Morina, vlerëson se lumenjtë në vend janë të vegjël për të përballuar gjithë këto ndërhyrje të pakontrolluara.
“Pas luftës të gjitha ndërtimet pa leje nëpër tokat e bukës, përreth lumenjve, restorantet e ndryshme, hotele të gjitha ndërtimet që janë bërë, kanë bërë që të lëvizin shtratin e lumit. Gjithashtu hedhja e mbeturinave dhe derdhja e kanalizimeve nga të gjitha vendbanimet e Kosovës... Secili lum, që në fakt në Kosovë lumenjtë janë të vegjël, nuk mund t’i përballojnë të gjitha ato mbeturina, konstrukte ndërtimi”, është shprehur Morina.
Ai ka fajësuar edhe inspektorët në nivel qendror dhe komunal, për moszbatim të ligjit për mbeturinat.
“Të pastrohen lumenjtë në mënyrë të rregullt qoftë nga prurjet që i sjellin vetë lumenjtë nga natyra. Të mos gërryhen lumenjtë vend e pa vend por të caktohen... Ligji i mbeturinave dhe inspeksionet qoftë të qeverisë dhe komunave nuk janë duke implementuar sepse kemi pak inspektime, kemi pak ndalime dhe kemi pak dënime”, ka theksuar ai.
Drini i Bardhë është prej lumenjve që ka shkaktuar më së shumti përmbytje në vend pas reshjeve të dendura të shiut më 6, 7, 8 dhe 11 janar.
Sipas raportit të fundit të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, më 7 janar ky lum arriti nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë.
Vërshimet e janarit kanë prekur Malishevën, Gjakovën, Klinën, Junikun, Drenasin, Skenderajn, Mitrovicën, Suharekën, Gjilanin dhe Prishtinën.