Lionel Messi e ka nisur në mënyrë të pabesueshme Kupën e Botës në futboll.
Superylli argjentinas ka kompletuar “hat-trickun” në ndeshjen ndaj Algjerisë.
Messi është vetëm argjentinasi i tretë që ka realizuar tre gola në një ndeshje të Botërorit.
Ai po e luan ndeshjen e 200-të për Argjentinën, ndërsa i ka 120 gola.
Në Botërorë, Messi i ka 16 gola. Tani e ndan rekordin me Miroslav Klosen.
Messi ka lëshuar fushën në minutën e 79-të, te rezultati 3:0. Është përcjellë me thirrje të shumta të tifozëve.
Shkëlqimi i Messit ia vazhdoi edhe disa rekorde “Guinness”
Me tre gola në ndeshjen e parë të Botërorit 2026 ndaj Algjerisë, legjenda Lionel Messi ka vazhduar edhe disa rekorde “Guinness”.
Faqja e librit të rekordeve ka shkruar se Messi vazhdon të jetë kapiteni më i mirë golashënues nëpër botërorë me 16 gola, lojtari me më së shumti paraqitje nëpër botërorë (27), më së shumti minuta nëpër botërorë (2394), lojtari më i moshuar që ka shënuar hat-trick në botërorë (38 vjet, 11 muaj e 24 ditë) dhe lojtari që është paraqitur në më së shumti botërorë (6).
Ai tani është edhe golashënuesi më i mirë në histori të botërorëve (16 gola), aq sa ka edhe Miroslav Klose me Gjermaninë.
Messi dëshmon sërish se është i pakrahasueshëm
Me një tregolësh mahnitës në fitoren 3:0 të Argjentinës ndaj Algjerisë në Kupën e Botës, 38-vjeçari Lionel Messi justifikoi pohimin e trajnerit Lionel Scaloni se ai mbetet themelor për kampionen në fuqi të botës.
20 vjet pasi shënoi golin e parë në Kupë të Botës, tetë herë fituesi i Topit të Artë, shkroi tjetër kapitull në historinë e futbollit. Ai u barazua me Miroslav Klosen si golashënuesit më të mirë në histori të Botërorëve. Të dy i kanë nga 16 gola.
Messi luajti në Botërorin e gjashtë, që është rekord, e po ashtu luajti ndeshjen e 200-të ndërkombëtre. Dhe nuk kishte se si ta mbyllte më mirë. Emri i Messit është thirrur ende pa nisur ndeshja, ndërsa ai u largua mes thirrjeve e duartrokitjeve të zjarrta të shikuesve pasionantë në stadium.
Pos tre golave, dy prej të cilëve shumë të bukur, përpjekjet dhe intensiteti mbrojtës i Messit dëshmuan atë që superylli jep për ekipin argjentinas.
“Është avantazh të kesh Leon, për shkak të mënyrës se si ai e menaxhon grupin dhe e çon atë përpara”, tha mesfushori Rodrigo De Paul, i cili asistoi në golin e parë.
“Ai nuk i kushton vëmendje rekordeve individuale. I jep përparësi ekipit dhe për ne kjo është e pabesueshme”.
Performanca e Messit ofroi gjithashtu një kujtesë për qëndrueshmërin e tij. Ai arriti në Botëror pasi u rikuperua nga një tendosje muskulore. Dhe përnjëherë çdo shqetësim për gjendjen e tij fizike u shua.
Deklarata e Scalonit se Messi tani është edhe më i rëndësishëm për Argjentinën, u vërtetua në fushën e lojës. Superylli imponoi ritmin e tij në ndeshje, pavarësisht se kanë kaluar shumë vjet prej se ai kishte kulmin në futbollin evropian.
“Nuk kam fjalë për Leon. Çka mund të them? Ai është i pabesueshëm. Ai e ka bërë këtë për 20 vjet. Të gjithë në futboll duan ta shikojnë e shijojnë atë”, ka thënë selektori Scaloni pas ndeshjes.
Kjo pritet të jetë Kupa e fundit e Botës për Messin. Dhe tifozët po e shijojnë çdo moment në fushë të tij.
Mijëra tifozë argjentinas në stadiumin e Kansas Cityt u përkulën vazhdimisht në drejtim të Messit, përfshirë edhe momentin kur ai u zëvendësua nga Nico Paz në minutën e 80-të.
Messi flet për lotët pas golit të parë në natën historike
Lionel Messi është shfaqur shumë emocional pas golit të parë në ndeshjen ndaj Algjerisë. Ai i shënoi të tre golat në fitoren 3:0 të Argjentinës.
“Nuk ka të bëj asgjë me futbollin, kam kaluar disa ditë të vështira”, tha Messi lidhur me momentin emocional pas golit të parë, gjatë të cilit mezi ndali lotët.
“Një çështje krejtësisht jashtë sportit. Kalova disa ditë të vështira dhe të ndërlikuara”.
Messi ka vlerësuar bashkëlojtarët, por edhe gjithë të tjerët për përkrahjen që po i jepin.
“Jam mirënjohës për gjithë delegacionin, për bashkëlojtarët. Ata bëjnë shumë përpjekje për t’u siguruar që jam mirë”, ka thënë Messi.
Tani askush nuk ka më shumë gola se Messi në Kampionate Botërore. Messi dhe Miroslav Klose i kanë nga 16. Por kjo shifër duket që nuk ka shumë rëndësi për argjentinasin.
“Është nder të jesh në krye të listës për shkak të rëndësisë që ka. Të jem përkrah Kloses, atyre që janë aty. Në fund të fundit janë thjesht statistika dhe asgjë më shumë. Ronaldo (Nazario), nga ajo që kam parë, është prej më të mëdhenjve, dhe ai nuk është i pari. Edhe Mbappe, që shënoi dy gola për Francën”, ka theksuar superylli.
Messi e ka përmendur në konferencë edhe tenistin e njohur Rafael Nadal.
“Po e shijoj këtë, ndihem shumë mirë dhe i lumtur në fushë. E dua futbollin, ishte pasioni im që kur isha fëmijë dhe gjithnjë jap më të mirën. Po shikojmë një seri për Rafael Nadal aktualisht dhe ndihem si ai, në kuptimin e dhënies së çdo gjëje dhe shijimit të asaj që e bën”.
Messi ka lavdëruar edhe algjerianët.
“Kanë lojtarë të mirë, janë dinamikë. Jemi munduar të dominojmë ndeshje, por patëm vështirësi me posedim të topit, siç bëjmë zakonisht, veçanërisht në pjesën e parë. Mund të shihni në këtë Kupë Bote se të gjitha ekipet janë të përgatitura mirë. Ka ekipe të forta dhe askush nuk heq dorë lehtë”.
Të hënën e ardhshme Argjentina luan me Austrinë, ndërsa më 28 qershor ndaj Jordanisë. Do të jenë ndeshje në të cilat Messi do ta synojë rekordin për më së shumti gola në Botëror.
“100 për qind është karton i kuq për Messin”
Lionel Messi shënoi “hat-trick” në ndeshjen e Argjentinës ndaj Algjerisë, të mërkurën në mëngjes. Superylli argjentinas tani është golashënuesi më i mirë në histori të Kampionateve Botërore me 16 gola, sa i ka edhe Miroslav Klose.
Por a është dashur të përjashtohet Messi nga ndeshja me Algjerinë? Një pjesë e tifozëve të futbollit pretendojnë se po.
Edhe ekspertë të angazhuar nga ESPN kanë vlerësuar se Messi e ka merituar kartonin e kuq për ndërhyrjen ndaj Aissa Mandi.
“100 për qind është karton i kuq për Messin”, ka përmbledhur ESPN-ja qëndrimin e dy ekspertëve në studio.
Messi e goditi nga prapa algjerianin, ndërsa e kishte thembrën të ngritur. Pas ndërhyrjes, Messi është parë i brengosur, ndërsa e ka ngushëlluar lojtarin kundërshtar. Por nuk kishte karton për argjentinasin.
Ndërhyrja ndodhi pas gjysmë ore loje në pjesën e parë. Pra shumë kohë para se Messi të shënonte golin e dytë dhe të tretë në ndeshje.
Arbitri Szymon Marciniak dhe VAR-i nuk vlerësuan se Messi duhet të ndëshkohet me karton të kuq apo të verdhë.
Por një pjesë e tifozëve vlerësojnë se asnjë lojtar tjetër pos Messit nuk do të trajtohej me kaq “butësi”, shkruan “The Sun”.
“Nuk duket mirë për futbollin. Messi duke u larguar pa asnjë ndëshkim për ndërhyrjen që qartë është për karton të kuq. Të ndodhë kjo në skenën më të madhe, është e turpshme”, ka shkruar një tifoz në X.
“Kjo ka mundur të jetë lehtë karton i kuq. Prisni të njëjtën gjë edhe për Ronaldon. Do të jetë e kurdisur që ata të luajnë kundër njëri-tjetrit”, ka shkruar një tjetër tifoz.
Një tjetër shkroi se “nuk mund të besoj që nuk kishte karton për këtë ndërhyrje”.
Edhe “The Athletic” në një prej teksteve ka pyetur nëse Messi duhej të përjashtohej për ndërhyrjen.
Mediumi i fuqishëm ka shkruar për “trajtimin e veçantë” që argjentinasi në raste gjatë karrierës kishte nga gjyqtarët.
“Ajo që është e sigurt është se mes golit të parë dhe të dytë, ai pati fat. Një ndërhyrje ndaj kapitenit të Algjerisë, Aissa Mand, që ishte në puplin e djathtë dhe tendinin e Akilit të algjerianit, mund të ishte ndëshkuar të paktën me karton të verdhë dhe ndoshta një karton të kuq. Por gjyqtari polak, Szymon Marciniak u kënaq duke dhënë një goditje dënimi. Ishte një incident i çuditshëm. Trajtim i veçantë? Të paktën ishte një vendim i butë. Kartoni i verdhë ndoshta do të ishte rezultati më i pritur, por disa kanë pritur edhe karton të kuq. Por Messi pati sigurisht fat që u largua pa u ndëshkuar”, shkruan “The Athletic”.
VIDEO:
Messi just got away with an absolutely DISGUSTING challenge to an Algeria defenders leg.
Red card or not?pic.twitter.com/2ZU2B5j4oH— Banter FC (@FCBanter_) June 17, 2026
Legjenda franceze, Thierry Henry, i doli në mbrojtje Messit. Ai tha se duhet të shikohet i gjithë aksioni për të nxjerrë përfundime.
Henry është i befasuar me reagimet e shumta lidhur me situatën.
“Kam pasur situata të ngjashme në futboll kur nuk kishte karton të verdhë, ndërhyrje të VAR-it dhe njerëzit kanë pranuar vendimin e gjyqtarit menjëherë. Dhe tani, pasi bëhet fjalë për Messin, të gjithë bëhen ekspertë të referimit. Nuk po them që Messi duhet të ketë trajtim të veçantë. Absolutisht jo. Rregullat duhet të aplikohen njëjtë për të gjithë. Por po them që tifozët duhet të frenohen pak. Jo çdo ndërhyrje është karton i kuq. Jo çdo moment kundërthënës është skandal”, ka thënë Henry, i angazhuar si ekspert i futbollit për Botëror.
Natë historike për Lionel Messin
Lionel Messi e ka nisur në mënyrë të shkëlqyer Kupën e Botës në futboll.
Superylli i futbollit ka realizuar “hat-trick” në fitoren e Argjentinës ndaj Algjerisë. Argjentina fitoi 3:0 në ndeshjen e së mërkurës në mëngjes. Ndeshja u luajt në Kansas City dhe i takoi Grupit J.
Messi shënoi supergol në minutën e 17-të për 1:0. I shtoi edhe dy gola të tjerë për njërën prej netëve më të mira në karrierën e mahnitshme. Për 2:0 shënoi në minutën e 60-të, kurse për 3:0 në minutën e 76-të. Është tregolëshi i tij i parë në Kupa të Botës, ku po paraqitet për herë të gjashtë.
Messi e la fushën në minutën e 80-të dhe u largua mes duartrokitjeve dhe thirrjeve të mëdha të tifozëve.
Ai e luajti ndeshjen e 200-të për Argjentinën, ndërsa tani i ka 120 gola.
Në Botërorë, Messi i ka 16 gola. E ndan rekordin për më së shumti gola me gjermanin Miroslav Klose.
Ky megjithatë është vetëm fillimi për fenomenin argjentinas. Me Messin në fushë, Argjentina kërkon ta mbrojë titullin e botës.