Arbëri

Sociologu alarmon për sfidat e TikTokut që po luhen në shkollat e Kosovës

sfida në TikTok

Sociologu Jeton Brajshori ka alarmuar për sfidat “Spiderman” dhe “Superman” në rrjetin social TikTok të cilat po i luajnë, siç ka shkruar ai, me të madhe në shkollat e Kosovës.

Sfidat “Spiderman” dhe “Superman” kanë marrë hov në TikTok kohëve të fundit. Në sfidën “Spiderman”, dy njerëz bashkojnë duart, ndërsa një i tretë kërcen mbi to e më pas e hedhin mbrapsht. Ndërkohë në sfidën “Superman” disa persona e hedhin lart një tjetër. 

Në një status në Facebook të mërkurën, Brajshori ka thënë se nga këto sfida fëmijët po pësojnë dëmtime të mëdha.

“Kujdes! Loja e re e rrezikshme e quajtur “Spiderman”, ose edhe “ Superman” po luhet me të madhe nëpër shkolla! 3 ose më shumë veta e kapin njërin duke e hedhur në ajër duke i thënë bonu Spiderman ose superman. Personat që bien në tokë po kanë dëmtime serioze në gjymtyrë dhe kokë!”, ka shkruar ai.

Tutje, Brajshori ka kërkuar nga drejtorët e shkollave dhe prindërit të jenë vigjilentë në ndryshimin e disponimit dhe pamjes fizike të fëmijëve të tyre.

“Të katë vëzhgime nga drejtoritë e shkollave si dhe prindërit të jenë vigjilentë në ndryshimet e disponimit dhe pamjes fizike të fëmijëve të tyre (duke kërkuar ndonjë hematom). Bashkëpunoni trekëndëshi që pasojat të jena më të vogla!”, ka shkruar Brajshori.

Ka kohë që sfidat e TikTokut janë vënë në qendër të diskutimeve për shkak të rrezikshmërisë së madhe për fëmijët. Ka pasur thirrje edhe që ky rrjet social të ndalohet në Kosovë.

Në maj të këtij viti, në Fushë-Kosovë, 17 nxënës pësuan vetëlëndime në përgjigje të një sfide në TikTok.

Sipas një ankete të “Save the Children Kosova”, fëmijët e identifikuan TikTokun si platformën ku bullizohen më së shumti.

Para pak ditëve, KOHA pati raportuar se si rrjetet sociale po u shkaktojnë ankth e izolim fëmijëve.