Përleshjet kanë shpërthyer të shtunën mes policisë franceze dhe protestuesve, gjatë demonstratave që kanë vazhduar në disa pjesë të Francës.
Në Paris, policia ka përdorur shkopinj gome dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat, pasi protestat u shndërruan në përleshje të dhunshme, raporton AP.
Mijëra persona marshuan në rrugët e kryeqytetit francez, duke kërkuar rritje të pagave dhe duke shprehur mbështetje për lëvizjen protestuese të studentëve.
Protestat kanë shtuar presionin ndaj qeverisë franceze. Lëvizja nisi në shtator, pas një proteste për mungesën e stafit në një shkollë të mesme në juglindje të Parisit, por më pas u përhap në mbarë vendin.
Fillimisht, në protesta morën pjesë studentë që kërkonin më shumë fonde për arsimin. Me kalimin e kohës, lëvizjes iu bashkuan edhe punëtorët, të cilët kërkojnë pensione më të mira dhe lehtësim të barrës nga rritja e çmimeve të karburanteve dhe kostos së jetesës.
Protestat po zhvillohen në një kohë kur po intensifikohet gara politike për pasuesin e presidentit Emmanuel Macron, në zgjedhjet e majit të ardhshëm.