Katërmbëdhjetë gra nga Komuna e Prizrenit do të përfitojnë grante për fillimin e bizneseve të tyre nga projekti “Stabilizimi i mëtejmë i komuniteteve pakicë dhe shumicë në Kosovë përmes mbështetjes së shtuar socio-ekonomike”
Për këtë arsye, Komuna e Prizrenit ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Fondacionin për Zhvillim të Qëndrueshëm Ekonomik – PREDA Plus, WEntrepreneur, që mbështeten nga ASB-ja.
Palët nënshkruese kanë bërë të ditur se projekti është bashkëfinancim dhe se ka për synim vazhdimin e krijimit të një jetese të qëndrueshme, si dhe kushteve të mira socio-ekonomike për komunitetin përmes gjenerimit të të ardhurave.
“Sot kemi nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit që është vazhdimësi e partneritetit tonë me Komunën e Prizrenit, ku mbështesim 14 gra, të cilat do të fillojnë aktivitetet e tyre të ndërmarrësisë, me shpresën që të kenë sukses në zbatimin e aktiviteteve të tyre, por edhe që të vazhdohet me këtë ritëm, duke përfshirë dhe përfitues të tjerë”, ka deklaruar Valentin Hoxha, drejtor i projektit.
Kryetari i komunës, Shaqir Totaj, tha se gratë përfituese janë të komuniteteve të ndryshme.
“Mendojmë se një formë e tillë e bashkëpunimit, një iniciativë e tillë, jep një kontribut sado të vogël në dhënien e rastit apo mundësisë të të gjithë atyre që kanë ide dhe që kanë guxim për të filluar një biznes të ri apo një start-up”, tha ai.
Vlera e granteve që do t’u ndahen përfitueseve për fillimin e bizneseve të reja është 2,500 euro dhe ato do të shpërndahen në formë pajisjesh.