Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli ka vazhduar me deklarata skandaloze në New York. Ai i ka thënë një televizioni serb se nuk duhet të ketë kufi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Një tjetër ditë në New York, të tjera skandale për kryediplomatin e Kosovës, Behgjet Pacolli.
Duke folur për TV Prvan e Serbisë nga selia e OKB-së, Pacolli ka thënë se populli i Kosovës është i gatshëm për pajtim me Serbinë.
Dhe se kufi ndërmjet të dyjave vendeve nuk duhet të ketë.
"Ka shumë nevojë për paqe ndërmjet popujve tanë. Ata dikur kanë jetuar bashkë dhe shoh tendencë se ata duan të jetojnë sërish së bashku. Në vend që të vendosim kufij ne duhet t’i heqim ata."
Ai ka thënën se zotërinjtë Thaçi e Vuçiq po punojnë për të arritur një marrëveshje që është shumë e domosdoshme për të dyja palët.
Deklarata e Pacollit vjen vetëm një ditë pasi ai ia zuri pritën kryeministres serbe, Bërnabiq të cilës iu imponua duke i thënë se është një zonjë e respektueshme dhe person komplet.
Ndërkohë, ka vazhduar saga me takimin me kryeministrin e Marokut. Pasi që kreu i këtij shteti afrikan tha se Pacolli iu imponua kur ai ishte në drekë me delegacionin e tij, Pacolli ka insistuar sot se takimi ishte zyrtar.
Ai e ka postuar në Facebook një bisedë në Whatsapp, pak arabisht e pak anglisht, ku ka treguar se kryeministri maroken ishte pajtuar për takim 5 minutësh me të.
Por, Saadeddine Othmani tha në Twitter se Maroku nuk e njeh dhe as që do ta njohë Kosovën.
Ndërkohë, gjatë të mërkurës Pacolli e ka edituar videon e tij të famshme të shtrëngimit të duarve me Trumpin, duke e hequr thirrjen e gazetarit Mula që ta bëjë këtë – t’ia japë dorën Trumpit.