Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Pacolli i ankohet “Sophies” në vend të Organizatës për Bashkëpunim Islamik për al-Malikin

Foto: Driton Paçarada / Koha

Ministri i Jashtëm në detyrë i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thënë se e ka njoftuar Organizatën për Bashkëpunim Islamik (OBI) në lidhje me deklaratat e shefit të diplomacisë së autoritetit palestinez Riyad al-Malikit i cili, gjatë një vizite në Serbi, ka thënë se “palestinezët mbështesin qëndrimin e Serbisë për Kosovën”.

Në disa cicërima në Twitter, Pacolli, ka shprehur indinjatën e tij rreth kësaj deklarate, mirëpo, duke dashur ta etiketojë OBI-n, ka etiketuar një profil tjetër me emrin “Sophie”, profil që me gjasë i takon një gruaje e cila pëlqen “ecjet, modën, qentë, librat e ushqimin”, raporton Koha.net.

Ngatërresa ka ardhur pasi emrat e profileve të të dyve janë të ngjashëm në Twitter. Organizata për Bashkëpunim Islamik e ka profilin në Twitter me emrin “OIC_OCI”, kurse “Sophie” e ka vetëm “OIC”. Në disa raste, Pacolli e ka etiketuar profilin e duhur të OBI-t, por në disa të tjera e ka alarmuar “Sophien”.

Image

“E kam njoftuar Sekretarin e Përgjithshëm të @OIC_OCI , Yousef bin Ahmad Al-Othaimeen dhe të gjithë anëtarët e @OIC_OCI për deklaratat skandaloze të Riyad al-Maliki mbi Autoritetin Palestinez në Beograd. Deklaratat e tij janë në kundërshtim me rezolutat e @OIC_OCI mbi Kosovën dhe është e pasjellshme për popullin e Kosovës. Kam njoftuar Sekretarin e Përgjithshëm të @OIC Yousef A. Al-Othaimeen dhe të gjithë anëtarët e @OIC rreth deklaratave skandaloze të Riyad al-Malikit për Palestinën kundër Kosovës dhe popullit të saj. Kjo shkel dhjetëra rezoluta të @OIC_OCI, është kundër vullnetit të popullit të Kosovës dhe injoron opinionin e @CIJ_ICJ. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran që ka njohje të gjerë ndërkombëtare dhe shtet anëtar i shumë organizatave ndërkombëtare me perspektivë evropiane. Kosova nuk ka nevojë për mësime nga individë që nuk kanë legjitimitet nga populli i vet. Jemi model për shtetndërtim modern. Kemi qëndruar kundër Serbisë”.