Pas takimit, Kurti deklaroi se nuk ka një emër konsensual për president dhe se shpreson që javën e ardhshme të ketë garë për këtë post. Por, interpretimin e zgjidhjes së mundshme të çështjes së presidentit të ri si garë e ka përjashtuar kryetari i PDK-së. Ai ka thënë se po të ketë garë “rezultati dihet”. Hamza bëri të ditur se i ka ofruar Kurtit një marrëveshje sipas së cilës presidenti do të zgjidhej nga një propozim i PDK-së, si përpjekje për të shmangur zgjedhjet dhe për të tejkaluar ngërçin politik
Nuk është arritur marrëveshje mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës për zgjedhjen e një presidenti konsensual, por takimi i së shtunës mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka qartësuar pozicionet e këtyre dy partive. PDK-ja ofron propozimin e një kandidati të vet si zgjidhje për tejkalim të situatës, ndërsa VV-ja e interpreton këtë si gatishmëri për garë.
Pas takimit, Kurti deklaroi se nuk ka një emër konsensual për president dhe se shpreson që javën e ardhshme të ketë garë për këtë post. Por, interpretimin e zgjidhjes së mundshme të çështjes së presidentit të ri si garë e ka përjashtuar kryetari i PDK-së. Ai ka thënë se po të ketë garë “rezultati dihet”. Hamza bëri të ditur se i ka ofruar Kurtit një marrëveshje sipas së cilës presidenti do të zgjidhej nga një propozim i PDK-së, si përpjekje për të shmangur zgjedhjet dhe për të tejkaluar ngërçin politik.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë një konferencë për media pas takimit të së shtunës me Kurtin, Hamza ka thënë se kjo është oferta e fundit zyrtare e partisë së tij për të shmangur zgjedhjet dhe për të zhbllokuar situatën politike. Ai shtoi se tani pret një sinjal nga Lëvizja Vetëvendosje lidhur me këtë propozim, ndërsa LVV-ja pritet ta mbajë të dielën mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm.
“Sot, në takimin e dytë me Kurtin, PDK-ja ofroi edhe një mundësi konkrete dhe të fundit për të shmangur zgjedhjet, duke propozuar zgjedhjen e një presidenti nga radhët tona, me qëllim garantimin e stabilitetit institucional dhe tejkalimin e ngërçit politik. Kryesia e PDK-së vlerëson se kontributi ynë në këtë proces është përmbushur”, deklaroi Hamza.
Ai bëri të ditur se kërkesa fillestare ka qenë që kandidatura të vinte nga familja Jashari, por se familja ka dalë zyrtarisht kundër përfshirjes në proces politik – vendim që, sipas tij, respektohet plotësisht.
Hamza theksoi se tashmë përgjegjësia bie mbi shumicën parlamentare.
“Nuk mund dhe nuk do të marrim përgjegjësinë që nuk na takon. Nuk mund ta zëvendësojmë shumicën parlamentare. Jemi opozitë, do të sillemi si të tillë. Nuk jemi pengesë e proceseve shtetërore. Opozita ka rol kontrollues, jo rol shpëtues. Kosova ka nevojë për president, për institucione konsensuale, ka nevojë për shumicë parlamentare që mban përgjegjësi dhe larg lojërave politike. Nga sot, përgjegjësia është e atyre që qeverisin”, shtoi ai.
Sipas kryetarit të PDK-së, në takim Kurti i ka thënë se nëse PDK-ja e propozon dikë për president, do ta bëjnë edhe ata.
“Rezultati dihet... kush i ka numrat”, ka thënë Hamza.
Sipas Hamzës, në takimin e së shtunës nuk është diskutuar asnjë emër konkret, pasi palët nuk kanë arritur deri në atë fazë të bisedimeve.
Pas konferencës për shtyp të kryetarit të PDK-së, kryeministri Albin Kurti ka dalë me një deklaratë për media duke thënë se “kur nuk ka mundësi për marrëveshje politike për propozime konsensuale, atëherë do të ketë propozime partiake”. Ai ka thënë se “propozimet partiake do të merren vesh shpejt”. Kurti ka thënë se Bedri Hamza nuk ka dhënë emër të përveçëm.
“Tash lajmi i mirë është që PDK-ja ka vendosur të propozojë një kandidat dhe kjo jep shpresë për një garë interesante në javën e ardhshme. Meqenëse kandidati i propozuar si konkluzion i mbledhjes së Kryesisë së PDK-së do të jetë propozim partiak, atëherë secila parti i ka propozimet e veta. Secila parti është veçmas. Ne nuk kemi arritur të kemi një kandidat që do të ishte konsensual. Së paku jo deri tani e që do të shkonte përtej propozimeve partiake”, ka thënë Kurti.
Ai ka rikujtuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese që kërkon që të ketë garë e sipas të cilit nuk është e mundshme që të ketë një propozim dhe në fletëvotim për president të jetë veçse një emër i përveçëm. Duke bërë llogaritë e numrave Kurti ka paralajmëruar mundësinë që ta ndihmojë kandidatin e PDK-së për nënshkrime.
“Por po e ritheksoj që është një njoftim i mirë që PDK-ja e ka diskutuar dhe e ka konstatuar që ajo si parti ka nevojë të ketë propozimin e saj. Tash, ne e dimë që si mazhorancë i kemi 66 deputetë, nga të cilët 57 janë të Lëvizjes Vetëvendosje me partnerët tanë të koalicionit parazgjedhor Guxo dhe Alternativa. Në anën tjetër të këtij 66-shit tonë që më votoi për kryeministër në këtë mandat të legjislaturës së dhjetë, e kemi PDK-në e cila i ka 22 deputetë, pra një të tretën e mazhorancës. Dhe megjithatë, ata janë subjekti i dytë për nga pesha në Kuvendin e Republikës dhe askush nuk mund të jetë afër sikur ata që këtë numër 22 ta bëjë 30, duke shtuar edhe tetë nënshkrime për propozimin që do të jetë nga ana e PDK-së. Ta shohim tash se si do të ecë kjo punë, por në rastin më të keq aty mund të ndihmojmë ne, ose mund t’i ndihmojë edhe dikush tjetër, në mënyrë që të kemi garë”, u shpreh Kurti.
Ai ka paralajmëruar se të dielën do të mbahet mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje. Ka thënë se aty do të diskutohet edhe çështja e presidentit duke e ndërlidhur me “propozimet partiake”.