Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti: S’ka kandidat konsensual, shpresojmë të ketë garë për president

Albin Kurti

Foto: Driton Paçarada

Kryeministri Albin Kurti, ka deklaruar se ende nuk ka një emër konsensual për president të shtetit, teksa ka thënë se shpreson që javën tjetër të ketë garë për këtë post.

Në një deklaratë për media pas takimit me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kurti ka thënë se “kur nuk ka mundësi për marrëveshje politike për propozime konsensuale, atëherë do të ketë propozime partiake”. Ai ka thënë se “propozimet partiake do të merren vesh shpejt”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kurti ka thënë se Bedri Hamza nuk ka dhënë emër të përveçëm.

“Tash lajmi i mirë është që PDK-ja ka vendosur të propozojë një kandidat dhe kjo jep shpresë për një garë interesante në javën e ardhshme. Meqenëse kandidati i propozuar si konkluzion i mbledhjes së Kryesisë së PDK-së do të jetë propozim partiak, atëherë secila parti i ka propozimet e veta. Secila parti është veçmas. Ne nuk kemi arritur të kemi një kandidat që do të ishte konsensual. Së paku jo deri tani e që do të shkonte përtej propozimeve partiake”, ka thënë Kurti.

Pas takimit të mbajtur sot, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha se i ka ofruar Kurtit “opsionin e fundit” që PDK-ja ta propozojë emrin e kandidatit për president. Në konferencë, Hamza tha se Kurti i ka thënë se “në këtë rast do të dalë edhe ai me një emër”. Hamza ka shtuar se e ka refuzuar “garën” duke thënë se “dihet rezultati”.

“Por meqenëse kryesia e PDK-së insiston në propozime të partive, atëherë siç është Bedri Hamza kryetar i PDK-së edhe unë jam kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, natyrisht subjekte politike të ndara dhe konkurruese, rivale në skenën politike. Por po e ritheksoj që është një njoftim i mirë që PDK-ja e ka diskutuar dhe e ka konstatuar që ajo si parti ka nevojë të ketë propozimin e saj. Tash, ne e dimë që si mazhorancë i kemi 66 deputetë, nga të cilët 57 janë të Lëvizjes Vetëvendosje me partnerët tanë të koalicionit parazgjedhor Guxo dhe Alternativa. Në anën tjetër të këtij 66-shit tonë që më votoi për Kryeministër në këtë mandat të legjislaturës së dhjetë, e kemi PDK-në e cila i ka 22 deputetë, pra një të tretën e mazhorancës. Dhe megjithatë, ata janë subjekti i dytë për nga pesha në Kuvendin e Republikës dhe askush nuk mund të jetë afër sikur ata që këtë numër 22 ta bëjë 30, duke shtuar edhe tetë nënshkrime për propozimin që do të jetë nga ana e PDK-së. Ta shohim tash se si do të ecë kjo punë, por në rastin më të keq aty mund të ndihmojmë ne, ose mund t’i ndihmojë edhe dikush tjetër, në mënyrë që të kemi garë. Sepse ju e dini që aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese para më shumë se një dekade kërkon që të ketë garë. Pra, nuk është e mundshme që të ketë një propozim dhe në fletëvotim për president të jetë veçse një emër i përveçëm. Andaj shpresoj që të kemi një garë ku emrat të dihen sa më shpejt, por tash për tash ky nuk është rasti”, u shpreh Kurti.

Ai ka paralajmëruar se të dielën do të mbahet mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje. Ka thënë se aty do të diskutohet edhe çështja e presidentit duke e ndërlidhur me “propozimet partiake”.