Më shumë se dhjetë ditë pas dy valëve të vërshimeve që prekën disa komuna, mungon ende një bilanc zyrtar për dëmet e shkaktuara. As niveli qendror e as ai lokal nuk kanë publikuar të dhëna për sipërfaqet e përmbytura, numrin e shtëpive e objekteve të dëmtuara dhe qytetarët e prekur. Në të njëjtën kohë, vërshime pati edhe në Shqipëri, por autoritetet e këtij shteti kanë dhënë vlerësimet preliminare dhe janë ndarë 50 milionë euro për kompensim
Edhe pse kanë kaluar më shumë se dhjetë ditë nga vërshimet në disa komuna, nuk ka ende asnjë vlerësim zyrtar, as nga niveli qendror e as nga ai lokal për sipërfaqet e përmbytura, numrin e shtëpive e objekteve të dëmtuara dhe qytetarët e prekur.
KOHA u ka dërguar pyetje përfaqësuesve të të gjitha komunave të prekura nga vërshimet e fillimjanarit se sa persona kanë aplikuar për vlerësimin e dëmeve.
Nga komunat që janë përgjigjur, vetëm ajo e Deçanit ka ofruar një vlerë preliminare të dëmeve të shkaktuara, por që është kufizuar në infrastrukturë.
“Sipas raportit preliminar të dëmeve, të përgatitur nga Komisioni, vlera e dëmeve në infrastrukturë publike (rrugë, ura, kanalizime dhe shembje të dheut) vlerësohet në rreth 272,000 euro. Kjo vlerë është preliminare dhe mund të ndryshojë pas vlerësimit përfundimtar në terren”, thuhet në përgjigjen e kësaj komune.
Është 1484 numri i aplikimeve në Malishevë, Prizren, Lipjan, Shtime, Rahovec, Klinë, Drenas e Deçan.
Më së shumti kërkesa ka pranuar Rahoveci – 425.
E komuna e Suharekës, Junikut, Gjakovës, Fushë-Kosovës dhe Vushtrrisë nuk kanë ofruar të dhëna.
Në të njëjtën kohë, janë përmbytur edhe disa qarqe në Shqipëri. As atje nuk është bërë ende vlerësimi zyrtar i dëmeve, mirëpo qeveria në Tiranë ka ndarë 50 milionë euro për kompensim dhe Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se janë përmbytur afër 1600 banesa dhe 14 mijë hektarë tokë bujqësore.
Në Kosovë, procedurat për vlerësimin dhe kompensimin e dëmeve rregullohen përmes Ligjit për Mbrojtje nga Fatkeqësitë Natyrore dhe Fatkeqësitë e Tjera.
Kastriot Lajçi, kryesues i Komisionit Qeveritar për Vlerësimin e Dëmeve nga Fatkeqësitë Natyrore tha se ka vizituar të gjitha komunat e prekura.
“Gjatë vlerësimit të dëmeve të lartcekura, kemi theksuar se duhet të përdoret çmimorja zyrtare e Agjencisë së Statistikave të Kosovës. Ndërsa për produktet që nuk janë të përfshira në këtë çmimore do të merret si bazë vlera mesatare e çmimit të tregut”, ka thënë Lajçi
Lajçi u shpreh se bazuar në ligj, komisioni qeveritar nuk kryen vlerësime në terren, por vetëm shqyrton dokumentacionin e dërguar nga komunat.
“Kur e bëjnë vlerësimin, niveli komunal e dërgon te kryetari, kryetari e çon në asamblenë komunale dhe e votojnë. Pasi të votohet, ata e dërgojnë në Ministri të Administrimit të Pushtetit Lokal për të marrë një vendim sipas ligjit dhe pasi aty të marrin vendim pozitiv ajo vjen te Komisioni Qendror për Vlerësimin e Dëmeve. Ne e monitorojmë dokumentacionin e sjellë dhe kur është në rregull ne e përpilojmë një raport të përgjithshëm me të dhënat paraprake dhe e dorëzojmë në Zyrën e Kryeministrit”, ka thënë ai.
Vendi u përball me dy valë vërshimesh, e para ishte më 6 dhe 7 janar, kryesisht në komunat e rrafshit të Dukagjinit dhe në Drenas, e vala e dytë më 10 janar goditi kryesisht pjesën lindore.