Vetëm tri komuna kanë përmbyllur procesin e evidentimit të dëmeve të shkaktuara nga vërshimet e janarit. Në Rahovec, Fushë-Kosovë e Junik dëmet e evidentuara janë në vlerën 1.5 milion euro. Komunat e tjera ende nuk e kanë përfunduar procesin, por bazuar në vlerësimin preliminar, vetëm në Gjakovë janë bërë dëme rreth 3 milionë euro
Një milion e 551 mijë euro është vlera e deritanishme e dëmeve të evidentuara nga vërshimet e janarit në Rahovec, Fushë-Kosovë dhe Junik, ndërsa komuna të tjera ende nuk e kanë përfunduar vlerësimin e dëmeve.
Sipas të dhënave të Komunës së Rahovecit, nga vërshimet dhe përmbytjet e 6, 7 dhe 8 janarit, janë shkaktuar dëme në vlerë 801 mijë euro.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Lista e dëmeve në ekonomi familjare: 292,457.08€. Lista e dëmeve në bujqësi: 165,178.64€ Lista e dëmeve në biznese: 186,139.79€. Lista e dëmeve në infrastrukturë private: 27,974.00€. Lista e dëmeve në infrastrukturë publike: 129,305.00€”, thuhet në përgjigjen me shkrim të dërguar nga kjo Komunë.
Në Fushë-Kosovë, dëme të evidentuara janë në vlerën rreth 141 mijë euro.
“Komisioni i përbërë nga 5 anëtarë e ka kryer punën në terren dhe i ka përmbledh të gjitha rezultatet. Deri tani e kemi shifrën rreth 141 mijë euro. Raporti ka ngelur tashmë vetëm të miratohet edhe në asamblenë komunale, pastaj duhet t’i dërgohet komisionit qeveritar për kompensimin e dëmeve. Diku 80 për qind e kësaj shifre janë dëme në amvisëri, disa në biznese dhe afër 4000 në kultura bujqësore”, ka thënë Izja Mjeku, drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Fushë Kosovës.
E, bazuar në vlerësimin që është bërë, vërshimet e janarit shkaktuan dëme në komunën e Junikut, në vlerë rreth 610 mijë euro.
“Vlera e dëmeve në infrastrukturën rrugore dhe ujore (lumi Erenik dhe lumi Trava) është 577,700.00€, kurse vlera e dëmeve në ekonomitë familjare është 8,750.00 €, vlera e dëmeve e bizneseve të dëmtuara nga vërshimet është 14,471.00€, vlera e dëmeve e tokave bujqësore është 5,200.00€ dhe vlera e veturave të dëmtuara nga vërshimet është 3,470.00€”, thuhet në një përgjigje të Komunës së Junikut.
E në Gjakovë vlerësimi i dëmeve ende nuk është përfundimtar. Por në këtë komunë thanë se, sipas të dhënave paraprake, dëmet arrijnë në rreth 3 milionë euro.
“Janë trajtuar afërsisht 370 kërkesa, të shqyrtuara individualisht, që përfshijnë dëme në ekonomitë familjare, biznese, sektorin e bujqësisë, infrastrukturë dhe zona të prekura nga erozioni. Procesi është drejt përmbylljes dhe pritet që raporti final të prezantohet në Kuvendin Komunal më 27 janar 2026”, është bërë e ditur në përgjigjen e ofruar nga Komuna e Gjakovës.
Procesi nuk është përmbyllur as në Komunën e Deçanit, zyrtarë të së cilës thanë se bazuar në vlerësimin paraprak, vetëm në infrastrukturë publike janë bërë dëme në vlerë rreth 272 mijë euro.
“Sipas raportit preliminar të dëmeve, të përgatitur nga Komisioni, vlera e dëmeve në infrastrukturë publike (rrugë, ura, kanalizime dhe shembje të dheut) vlerësohet në rreth 272,000 euro. Kjo vlerë është preliminare dhe mund të ndryshojë pas vlerësimit përfundimtar në terren”, thuhet në përgjigjen e shkruar, të kësaj Komune.
Komunat e Malishevës dhe Mitrovicës ende nuk e kanë përfunduar vlerësimin e dëmeve, ndërsa disa komuna të tjera deri tani nuk i kanë kthyer përgjigje KOHËS.