Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Mbi 5.7 milionë euro dëme nga vërshimet e janarit

vershime

Foto: Arkiv

Foto: Driton Paçarada

Përmbytjet që prekën disa komuna në fillim të këtij viti, kanë shkaktuar dëme në vlerë rreth 5.7 milionë euro, ka njoftuar Komisioni Qeveritar për Vlerësimin e Dëmeve. Por, në këtë institucion kanë thënë se kjo shifër mund të rritet pasi disa komuna ende nuk i kanë dërguar të dhënat. Ekonomitë familjare mbeten sektori më i goditur, ndërsa Gjakova, Skenderaj dhe Drenasi renditen ndër komunat më të prekura

Vërshimet e 7 dhe 8 janarit të këtij vitit kanë shkaktuar dëme në vlerë prej mbi 5.7 milionë eurosh në 14 komuna të Kosovës, kanë treguar të dhënave paraprake të Komisionit Qeveritar për Vlerësimin e Dëmeve.

Pjesa më e madhe e dëmeve është regjistruar në ekonomitë familjare, me mbi 4.1 milionë euro, pasuar nga bizneset me rreth 734 mijë euro, sektori i bujqësisë me 734 mijë euro dhe automjetet me 3 mijë e 470 euro.

Kryesuesi i komisionit, Kastriot Lajçi, ka thënë se tri komuna kanë pësuar dëmet më të mëdha.

“Dëmet më të mëdha deri më tani, sipas statistikave, të cilat i kanë dërguar nivelet komunale, janë në komunën e Gjakovës, komunën e Skenderajt, komunën e Drenasit. Gjakova i ka 2 milionë e 799 mijë e 850 euro, vlerë totale e dëmit, në përgjithësi në ekonomi familjare, biznese dhe bujqësi. E kemi Skenderajn me 492 mijë e 408”, ka treguar ai.

E në komunën e Drenasit sipas Lajçit, dëmet arrijnë vlerën e rreth 400 mijë eurosh.

Edhe Qytetarët në pritje për kompensim, për dëmet nga përmbytjet Arbëri Qytetarët në pritje për kompensim, për dëmet nga përmbytjet

Ai ka treguar se këto shifra nuk konsiderohen përfundimtare, pasi disa komuna ende nuk i kanë dorëzuar raportet e vlerësimit të dëmeve.

“Shuma totale për vitin 2026 është 5 milionë e 694 mijë e 928 euro. Kjo nuk do të thotë që do të jetë kjo shumë, sepse ne do të monitorojmë dokumentacionin dhe do të shikojmë a ka gabime. Komunat të cilat nuk e kanë dorëzuar ende raportin, janë Prizreni, një pjesë e komunës së Pejës dhe komunat e tjera”, ka thënë Lajçi.

Ai shtoi se nuk ka një afat të caktuar se kur komunat duhet t’i përfundojnë dhe dorëzojnë vlerësimet e tyre dhe kur pritet të kompensohen ato.

Ndërkaq, drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, shprehu shqetësimin se procesi i kompensimit mund të zgjasë me vite. 

Ai tha se duke iu referuar përvojës nga vërshimet e vitit 2023, për dëmet e të cilave ende nuk është bërë kompensimi i plotë.

“Niveli qendror, duke marrë parasysh se ky është përgjegjës, duhet të ndërmarr hapa.. ose të krijojë një fond emergjent për komunat që dora e shtetit të ndihet shumë më shpejt te qytetarët apo ta amandametojnë ligjin që parasheh procedura jashtëzakonisht burokratike dhe neve kërkojmë, për shembull është një mundësi shumë e thjeshtë në vend që të krijojmë vetëm komisionet komunale për vlerësimin e dëmeve dhe pastaj të shkojnë këto raporte në agjencinë e emergjencave, të krijohen komisione të përbashkëta që edhe niveli qendror të jetë i kyçur në vlerësimin e dëmeve që nga fillimi”, ka thënë Ibrahimi.

Sipas raportit të Komisionit Qeveritar për Vlerësimin e Dëmeve nga Fatkeqësitë Natyrore dhe Fatkeqësitë e Tjera, dëmet më të mëdha në sektorin e bizneseve janë regjistruar në Gjakovë, ku vlera e tyre arrin në afro 300 mijë euro. 

Edhe Përmbytjet nga vërshimet e fillimvitit shkaktuan dëme rreth 8 milionë euro Arbëri Përmbytjet nga vërshimet e fillimvitit shkaktuan dëme rreth 8 milionë euro

Pas saj renditen Klina me rreth 115 mijë euro dhe Malisheva me mbi 109 mijë euro dëme të vlerësuara.

Edhe në sektorin e bujqësisë, Gjakova prin me dëme në vlerë prej mbi 223 mijë eurosh, e pas saj është Rahoveci me rreth 187 mijë euro.