Shtatë komuna kanë finalizuar raportet për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet e fillimvitit. Bazuar në to, dëmet janë rreth 8 milionë euro. Asociacioni i Komunave të Kosovës i ka bërë thirrje Qeverisë të reagojë shpejt, me qëllim alokimin e mjeteve për kompensim të familjeve dhe bizneseve të prekura
Sipas vlerësimeve të komunave, dëmet nga vërshimet e fillimvitit janë rreth 8 milionë euro.
Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka bërë të ditur se komuna me më shumë dëme është Gjakova.
“Komunat më të prekura, sipas vlerës së dëmeve, janë: Gjakova – 2.7 milionë euro, Drenasi – mbi 1.5 milionë euro, Peja, Rahoveci dhe Mitrovica – nga 800 mijë euro secila, Klina – mbi 650 mijë euro, Malisheva – 540 mijë euro”, ka thënë Ibrahimi.
Sipas Ibrahimit, për një numër komunash vlerësimi i dëmeve ende nuk ka përfunduar.
Ai ka theksuar se komunat nuk mund ta bëjnë kompensimin me buxhetet vetjake, por ka apeluar te qeveria që të reagojë menjëherë.
Edhe
5 mln euro vlera e dëmeve nga vërshimet, komunat i kërkojnë nivelit qendror alokim të mjeteve
“Në këtë situatë, i bëjmë thirrje nivelit qendror për: reagim urgjent dhe të koordinuar institucional; alokim të menjëhershëm të mjeteve financiare; aktivizim të fondeve emergjente dhe mekanizmave shtetërorë; mbështetje konkrete për sanimin e dëmeve dhe rikthimin e normalitetit për qytetarët dhe bizneset”, ka thënë ai.
Kompensimi i dëmeve nuk është finalizuar ende as për komunat e prekura nga vërshimet e viteve 2023 dhe 2024.
Përmbytjet në Kosovë përsëriten pothuajse çdo vit, ndërsa shumë projekte për rregullimin e lumenjve dhe për ndërtimin e digave kanë mbetur të parealizuara, pavarësisht se parashihen në buxhete.
Ekspertët kanë vlerësuar se problemi nuk lidhet vetëm me reshjet, por me keqmenaxhimin e lumenjve, ndërhyrjet e pakontrolluara dhe mungesën e masave parandaluese afatgjate.
2023-shi ka qenë ndër vitet kur Kosova është goditur më së shumti nga vërshimet. Ndër komunat e prekura kanë qenë Skenderaj, Istogu, Klina dhe Mitrovica e Jugut.
Edhe
Mbi 5.7 milionë euro dëme nga vërshimet e janarit
Sipas raportit “Mjedisi i Evropës 2025”, i publikuar nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit e Kosovës, përmbytjet e vitit 2023 kanë shkaktuar dëme prej 3.75 milionë eurosh vetëm në familje. Megjithëkëtë, sipas të dhënave të komunave në atë kohë, vlera e përgjithshme e dëmeve është përllogaritur të jetë rreth 26 milionë euro.
Elda Islami