Pas përmbytjeve që kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në disa komuna të Kosovës, autoritetet lokale kanë hapur procesin e aplikimit për vlerësimin e dëmeve. Qytetarët e prekur janë ftuar që kërkesave për kompensim t’ua bashkëngjitin dëshmitë për dëmet
Disa nga komunat e prekura nga vërshimet e fundit kanë nisur procesin e vlerësimit të dëmeve.
Komuna e Drenasit u ka bërë thirrje banorëve që t’i paraqesin kërkesat e tyre pranë Komisionit Komunal për Vlerësimin e Dëmeve, dhe mes tjerash u ka kërkuar dëshmi për dëmet.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Kërkesat duhet të jenë të plota dhe të shoqëruara me dokumentacionin e nevojshëm, si në vijim: ... fotografi që dëshmojnë gjendjen reale të dëmeve, të realizuara nga vendi i prekur nga vërshimet; çdo dokument shtesë që vërteton pronësinë ose dëmin e pësuar, nëse ka”, është thënë në thirrjen e Komunës së Drenasit.
Thirrje për aplikim për kompensim të dëmeve ka bërë edhe Komuna e Pejës, e cila ka bërë të ditur se kërkesat do të pranohen deri më 16 janar.
E, Komuna e Klinës do ta mbajë të hapur thirrjen deri më 19 janar.
“Drejtoria për Shërbime Publike dhe Emergjente, duke u bazuar në vendimin e kryetarit të Komunës për formimin e Komisionit për vlerësimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore, njofton të gjithë banorët që kanë pësuar dëme nga vërshimet e fundit se ka hapur procesin e pranimit të kërkesave për vlerësim. Ftohen të gjithë qytetarët e prekur që të dorëzojnë kërkesat e tyre për daljen e komisionit në terren për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara”, është theksuar në njoftimin e Komunës së Klinës.
Për formim të komisionit për vlerësimin e dëmeve ka njoftuar pasdite edhe Komuna e Fushë-Kosovës.
“Formohet Komisioni për Vlerësimin e Dëmeve për vitin 2026. Kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, z. Valon Prebreza, ka marrë vendim për formimin e Komisionit për Vlerësimin e Dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë e tjera në territorin e Komunës për vitin 2026. Ky vendim është marrë në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi, me qëllim të vlerësimit të drejtë dhe profesional të dëmeve të shkaktuara, si dhe përgatitjes së propozimeve për rimëkëmbje dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme në interes të qytetarëve”, kanë njoftuar në Komunën e Fushë-Kosovës.
Derisa komunat e prekura gjatë kësaj jave janë në pritje të vlerësimit të dëmeve, autoritetet nuk kanë kompensuar plotësisht as dëmet e shkaktuara nga përmbytjet e viteve të mëhershme.
Në Asociacionin e Komunave të Kosovës (AKK) kanë theksuar se komunat e Skenderajt dhe Rahovecit ende nuk janë kompensuar plotësisht për dëmet e shkaktuara gjatë viteve 2023 dhe 2024.