Komisioni për regjistrimin dhe vlerësimin e dëmeve nga vërshimet në Komunën e Rahovecit ka pranuar rreth 320 kërkesa deri tash.
Komuna pati bërë thirrje për aplikim që dëmet e shkaktuara nga vërshimet e javës së kaluar të rimburësohen.
Ndërkohë, të martën, Komuna sërish ka bërë të njëjtën thirrje për aplikim deri më 14 janar.
“Ftohen qytetarët e komunës së Rahovecit, të cilët janë prekur nga vërshimet, që të paraqesin kërkesën për regjistrimin dhe vlerësimin e dëmeve edhe nesër, më 14 janar 2026, deri në orën 16:00, në administratën komunale të Rahovecit, në sportelët nr. 6, 7 dhe 8”, thuhet në njoftim.
Komuna sqaroi se sa i përket dëmeve në infrastrukturën publike, përfaqësuesit e fshatrave dhe lagjeve urbane kërkesat për dëmet e shkaktuara në: ura, rrëshqitje dheu, rrugë të dëmtuara, parqe, shtylla të ndriçimit publik, si dhe dëme të tjera të ngjashme, t’i drejtohen Drejtorisë së Shërbimeve Publike të Komunës së Rahovecit.