Vërshimet nga të reshurat e shiut në Istog, kanë lënë dëme të mëdha, deklaroi kryetari i Komunës, Ilir Ferati.
Ai tha të hënën për KTV-në se nuk ka dëme tek njerëzit, por në ekonomitë familjare, në bujqësi dhe në biznese, dëme janë të shumta. Ai tha se është arritur të menaxhohet situata dhe nuk ka pasur nevojë për evakuim.
“Situata sot është më e qetë. Ekipet janë në terren. Nuk kemi dëme në njerëz, ka dëme në ekonomi familjare, në bujqësi dhe në biznese. Kemi themeluar komisionet që do t’i vlerësojnë dëmet dhe t’i adresojmë kërkesat tona si komunë në institucionet gjegjëse. Uroj që të mos ketë përsëritje, për kaq vjet nuk kam parë situatë kaq të rënduar. Falë angazhimit të akterëve, kemi arritur ta menaxhojmë situatën. Nuk kemi pasur nevoje për evakuim të familjeve”, deklaroi Ferati.
Sipas kreut të Istogut, situatë e rënduar është shënuar në fshatrat Staradran dhe Zallq.
“Situata ende nuk është jashtë rrezikut, uroj të mos ketë të reshura gjatë ditës në vijim. Ishte një natë e rëndë. I kemi mbyllur katër institucione arsimore, presim që gjatë ditës së sotme të dalim me vendim se a do të rifillojë të martën procesi mësimor. Të gjitha rrugët janë të kalueshme në Istog. Dëmet janë shumë të mëdha, të gjitha kulturat, përfshirë edhe grurin, pemishtet, janë dëmtuar nga uji. Deri në fund të javës do të dalim me statistikë për dëmet”, shtoi ai.