Arbëri

Përmbyten bizneset e disa familje mbesin të ngujuara në rajonin e Dukagjinit

Vershime ne Peje

Shkallët dhe oborri i shtëpisë të familjes Gashi në Istog janë përmbytur si pasojë e reshjeve të shiut.

Rizah Gashi thotë se ai dhe familja e tij katëranëtareshe kanë mbetur të ngujuar në shtëpinë e tyre që nga mbrëmja e së dielës.

"Qysh po e shihni edhe ju shtatëdhjetë centimetra është uji, dera është e mbyllur, kemi pasur shkollë, nuk kemi mundur të shkojmë, kemi pasur punë nuk kemi mundur të dalim në punë, kështu që e kemi thirrur reagimin e ndihmës të parë, me bazë ne Pejë, na kanë thënë se e dërgojnë një ekip të na ndihmojnë, por ende nuk kanë ardhur", thotë Gashi.

Kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati, ka thënë se do të ndihmojnë çdo familje.

“Situata sot është më e qetë. Ekipet janë në terren. Nuk kemi dëme në njerëz, ka dëme në ekonomi familjare, në bujqësi dhe në biznese. Kemi themeluar komisionet që do t’i vlerësojnë dëmet dhe t’i adresojmë kërkesat tona si komunë në institucionet gjegjëse. Uroj që të mos ketë përsëritje, për kaq vjet nuk kam parë situatë kaq të rënduar”, është shprehur ai.

Ferati ka thënë se kanë nisur të bëjnë vlerësimin e sanimin e dëmeve, që sipas tij, më të prekurat janë kulturat bujqësore.

Për shkak të dëmeve që kanë shkaktuar reshjet e shiut, katër institucione të arsimit parauniversitar nuk e kanë zhvilluar procesin mësimor të hënën, por sipas Feratit të martën do t’u kthehen nxënësit bankave shkollore.

Reshjet e shiut, kanë shkaktuar dëme edhe në Klinë. Bizneset e gastronomisë te Guri i Zi janë vërshuar pasi Drini i Bardhi doli nga shtrati.

Vërshimet kanë bërë që shëtitorja afër Lumbardhit në Pejë, të shembet.

Qytetari Enver Lipa ka thënë se qarkullimi në këtë pjesë përbën rrezik për kalimtarët.

“Sigurt aspak se uji për fundi është duke e përmbi tokën, e ka mbetur edhe pak 50 centimetra, është mundësia që edhe kjo pjesë në çdo moment të bjerë. E kjo ish dashtë të izolohet”, ka theksuar Lipa.

Në Komunën e Pejës kanë thënë se situata gjatë ditës ka qenë më qetë, ndërsa kanë krijuar edhe një komision për vlerësimin e dëmeve.

Edhe pse e ka konsideruar si situatë të menaxhueshme, kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka shpallur gjendje emergjente në këtë Komunë.

Për situatën e krijuar nga vërshimet Agjencia e Menaxhimit Emergjent vetëm ka thënë se ka ngritur nivelin e gatishmërisë emergjente.

E Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e Kosovës ka njoftuar se është duke përgatitur hartat e rrezikshmërisë nga përmbytjet dhe hartimin e planeve për menaxhimin e rrezikut nga përmbytjet dhe thatësira.