Reshjet e shiut kanë shkaktuar përmbytje në disa komuna të Kosovës. Por situata më e rënduar është raportuar në komunat e Pejës, Istogut e Junik. Banorët që jetojnë në fshatin Vranoc të Vogël kanë mbetur të bllokuar, pasi ura që lidh Pejën dhe Deçanin është dëmtuar. Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se FSK-ja është e gatshme të intervenojë me kapacitetet e saja. Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Hysen Durmishi, ka thënë se situata e krijuar nga vërshimet është e menaxhueshme.
Kjo dhomë e ndejës e familjes Muriqi buzë Lumbardhit të Pejës është bërë e pashfrytëzueshme për shkak të vërshimeve të shkaktuara nga reshjet e shiut.
Bajram Muriqi është ankuar se nuk i dolën në ndihmë me kohë ekipet emergjente.
“Asnjëherë nuk kemi pasur probleme, sivjet e kanë pru murin për ndërtimin e një shëtitoreje, krejt betonin e kanë lënë dhe kahja e ujit ka ndryshuar dhe ka hyrë në shtëpi tona. Dhe kërkush, as kryetari nuk është ardh ëme na vizituar, kanë qenë zjarrëfiksat pas 20-30 thirrjeve”, ka thënë Muriqi.
Nga vërshimet ka pësuar edhe familja e Njazi Qerkinit.
“Gjendja është katostrofale, rrezikun e kemi aty ku ka përfunduar muri, kanë ardhur zjarrëfiksat, kanë tentuar diçka, me 20-30 thasë zallë, mirëpo nuk kanë kryer punë. Muri privat që kemi pasur është rrëzuar... Krejt çka kam pasur në dy bodrumet, drutë nuk po i përmendi pasi të gjitha janë duke notuar në lumë, çka kam pasur tjetër me turshie gjithçka janë shkatërru”, ka thënë ai.
Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka thënë se situata është e menaxhueshme dhe se ekipet emergjente janë në gjendje gatishmërie.
Reshjet kanë bërë që të bllokohet ura në fshatin Vranoc të Vogël, e cila lidhë Pejën me Deçanit. Banorët kanë thënë se kanë mbetur të bllokuar nga dëmtimi i urës.
Situatë e rëndë raportohet edhe në komunën e Istog e atë të Junikut.
Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Istog, Abedin Kabashi, deklaroi se situata është alarmante. Ai tha se disa shtëpi janë dëmtuar nga të reshurat.
Po ashtu vërshime ka pasur në Gjakovë, Malishevë e Vushtrri.
Rruga në afërsi të Pestovës në Vushtrri është përmbytur nga uji gjatë ditës, ku ka shkaktuar telashe në qarkullimin e automjeteve.
“Asnjë familje nuk ka pasur nevojë të evokohet, sepse asnjë shtëpi nuk është dëmtuar në atë masë për të pasur nevojë të intervenohet, ndërkaq në tokat bujqësore qe dy ditë ka rënë shi, dhe presim që pastaj t’i dërgojmë në komisione për të mbjellat, dëmet që janë shkaktuar dhe të dalim me një raport konkret…Po ashtu, u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Komunës së Vushtrrisë se për momentin nuk ka vend për panik. Ne jemi të mobilizuar me të gjitha kapacitet dhe për çdo rast ne jemi me qytetarët”, ka thënë kryetari i Vushtrrisë, Ferat Idrizi.
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se FSK-ja është e gatshme të intervenojë me kapacitetet e saja.
Edhe zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Hysen Durmishi, ka folur mbi gjendjen e krijuar në vend si pasojë e vërshimeve.
Ai në një postim në Facebook ka bërë të ditur se situata e krijuar nga vërshimet është e menaxhueshme.
“Jemi të gjithë në terren, institucione lokale e qendrore. Po bëjmë gjithçka që është e mundur që ta kalojmë me sa më pak dëme”, ka shkruar Durmishi.