Sindikata e Punëtorëve të RTK-së ka paralajmëruar padi ndaj të gjithë përgjegjësve institucionalë, nëse deri më 14 gusht nuk u dalin pagat punëtorëve.
Në njoftimin e sindikatës thuhet se padia do të kërkojë përgjegjësi ligjore për situatën e rëndë financiare të krijuar brenda RTK-së, mosekzekutimin e pagave dhe cenimin e të drejtave themelore të punonjësve, si dhe për rrezikimin serioz të funksionimit të transmetuesit publik të Kosovës.
“Sot, më 8 gusht, pagat e punonjësve ende nuk janë ekzekutuar. Gjendja financiare është e rënduar, si për institucionin, ashtu edhe për stafin që përballet me vështirësi të mëdha ekonomike dhe sociale”, thuhet në njoftim.
Sindikata ka bërë thirrje për masa urgjente për të parandaluar, siç tha ajo, një krizë të thellë në funksionimin e RTK-së.
sindikata ka shprehur gatishmëri për të ndërmarrë të gjitha format e grevës dhe protestës, duke përfshirë grevën paralajmëruese, grevën e pjesshme, grevën e përgjithshme dhe protestat publike paqësore.