Arbëri

Si i nisi kundërligjshëm Komuna procedurat e prokurimit pa lëshimin e lejeve ndërtimore

Komuna e Prishtinës

Në dy raste, Komuna e Prishtinës ka dhënë leje për zhvillim të punimeve tek pas nënshkrimit të kontratave, sipas gjetjeve të Auditorit për vitin 2024 në këtë institucion. 

Siç thuhet në Raportin e Auditorit, bëhet fjalë për rastin e ndërtimit të Qendrës për Punë Sociale në vlerë prej gati 2.9 milionë eurosh dhe për ndërtimin e rrugës në lagjen Kodra e Trimave në vlerë prej gati 600 mijë eurosh.

Në rastin e ndërtimit të Qendrës për Punë Sociale, leja ndërtimore është lëshuar më 20 shkurt 2025, ndërkohë që kontrata për realizim projekti ishte nënshkruar më 26 nëntor 2024. Sipas raportit, edhe pse punimet nuk kishin nisur pa leje ndërtimore, procedura u zhvillua kundërligjshëm pasi leja është dokument parakusht për nënshkrimin e kontratës.

Ndërsa në projektin për ndërtimin e rrugës në lagjen Kodra e Trimave, është vënë re se punimet kanë nisur më 22 korrik 2024, e vendimi për dhënie pëlqimi nga Drejtoria e Urbanizmit është lëshuar më 1 gusht 2024. Pra pas fillimit të punimeve dhe pas nënshkrimit të kontratës së 3 korrikut 2024.

Raporti ka theksuar se kërkesat për leje ndërtimore janë ndërtuar pas fillimit të procedurave të prokurimit gjë “që tregon për mungesë të planifikimit dhe respektimit të rrjedhës së duhur procedurale”.

Auditori në këtë rast ka rekomanduar që komuna duhet të sigurohet që asnjë procedurë prokurimi për projekte ndërtimi të mos fillojë pa u pajisur me leje ndërtimore, në përputhje me Ligjin për Ndërtim dhe të forcojë mekanizmat e kontrollit të brendshëm.

E raporti thekson po ashtu se me gjetjet dhe rekomandimet është pajtuar Komuna.

KOHA ka dërguar pyetje në Komunën e Prishtinës për gjetjet e raportit dhe posa të marrë përgjigje teksti do të përditësohet.

Kjo është vetëm një nga dhjetëra gjetjet që Auditori ka përfshirë në Raportin e Auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore 2024, e që pritet të publikohet javën e ardhshme.

Lexo përditësimet tjera
Perparim Rama komuna

Shkeljet milionëshe që Auditori i gjeti në Komunën e Prishtinës

Zyra Kombëtare e Auditorit ka gjetur dhjetëra shkelje të kryera nga Komuna e Prishtinës në vitin...