Me shpërfillje të shumëfishtë të institucioneve dhe Ligjit për trashëgimi kulturore sikurse edhe në fshehtësi, Komuna e Prishtinës ka nisur implementimin e projektit “Ndërtimi i tregjeve të gjelbra” midis dhjetë monumenteve dhe brenda perimetrit të Qendrës Historike të Prishtinës. Krejt procedurat për hartimin e projektit, kontraktimin e punëkryesit dhe nisjen e punimeve i ka bërë pa miratimin e institucioneve kompetente, ani pse nëpërmjet shkresave dëshmohet se ka qenë në dijeni se po vepron kësisoj. Mbi një milion peshon projekti, punimet kanë nisur qysh në shtatorin e vjetëm e tek tash është aktivizuar edhe Prokuroria Themelore e Prishtinës
Komuna e Prishtinës është kampion institucional i nisjes së punimeve në zona të mbrojtura të trashëgimisë kulturore pa i pasur lejet e autoriteteve të trashëgimisë kulturore siç përcaktohet me ligj. Hapësira përballë ndërtesës së RTK-së, një ambient i gjelbër i rrethuar me dyqane të zanatçinjve, është vendpunishtja e Komunës prej shtatorit të vitit të kaluar. Midis qytetit, një hapësirë e “fshehur” shkaku i dyqaneve përreth, pritet të shndërrohet në treg të gjelbër. Bëhet fjalë për parkun e parë publik në Prishtinë që ka dalje edhe në rrugën “Agim Ramadani”. Por siç Komuna vepron zakonisht viteve të fundit, kontrata me punëkryesin dhe nisja e punimeve janë bërë pa kurrfarë leje megjithëse parcela gjendet brenda perimetrit të Qendrës Historike të Prishtinës dhe në zonën e mbrojtur të dhjetë monumenteve.
KOHA disponon një numër të madh shkresash zyrtare e dokumentesh për këtë rast. Shumica prej tyre të siguruara në vetë institucionin komunal dëshmojnë se pos pa lejen e institucioneve të trashëgimisë kulturore, puna ka nisur edhe pa lejen e vetë Drejtorisë së Urbanizmit në Komunë. Çështja ka mbërritur deri në Prokurorinë e Shtetit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë shtatorin e vitit të kaluar zyrtarët e Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë do të vërenin se përballë selisë së tyre, në hapësirën ku hyhet vetëm nëpërmjet një palë dyerve të llamarinës, ka lëvizje të makinerisë së rëndë. Në bazë të shkresave që posedon KOHA, punonjësit e QRTK-së do të konstatonin se punëkryesi ka pastruar hapësirën dhe po shtrohet zhavorr. Punëkryesi kishte prezantuar një pëlqim nga Drejtoria e Investimeve Kapitale e Komunës së Prishtinës nëpërmjet të cilit lejohet pastrimi dhe rregullimi i kanalizimit. Pëlqimi të cilin e posedon edhe KOHA tregon qartë se Komuna është në dijeni se hapësira është brenda Qendrës Historike të Prishtinës.
“Nga Komuna nuk kemi pranuar kërkesë për ta adresuar tutje në Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve dhe këto punime po zhvillohen pa pëlqimin e institucioneve kompetente të trashëgimisë kulturore..”, shkruhet në raportin e 9 shtatorit të vitit 2025. Në ditën e 15-të të po atij muaji nëpërmjet një tjetër raporti zyrtarët e QRTK-së vinin në dijeni stafin drejtues se gjatë vikendit janë zhvilluar punime.
“Sot më datë 15.09.2025 gjatë ditës kemi vërejtur se punimet në parcelën nr. 4878-0 në Prishtinë po vazhdojnë të zhvillohen, respektivisht është bërë furnizimi me material për shtrirje të rrjetit të kanalizimit si dhe dyert kryesore për qasje në këtë hapësirë po vazhdojnë të jenë të mbyllura”, shkruhet në Raport.
Tre ditë më vonë Drejtoria e Urbanizimit në Komunë do t’i drejtohej me një shkresë Ministrisë së Kulturës dhe Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Aty bëhet me dije se kanë pranuar një kërkesë nga Drejtoria e Investimeve Kapitale për zhvillimin e punëve ndërtimore për “Ndërtimin e tregjeve të gjelbra”. Në këtë dokument ceken punët që planifikohet të kryhen si pastrimi, betonimi, konstruksione të drurit, metalit, streha, fasadimi, hidroizolimi e të tjera.
“Andaj, duke u bazuar në konstatimin e lartcekur dhe në Ligjin për trashëgiminë kulturore, kërkojmë nga ju që të shqyrtoni këtë kërkesë, në mënyrë që të na njoftoni nëse ndërtesa është në mbrojtje apo jo, dhe të jepni udhëzimet e nevojshme dhe të caktoni kushtet e veçanta për ndërtimin e tregjeve të gjelbra sipas kërkesës në fjalë”, shkruhet në këtë shkresë të protokolluar më 18 shtator 2025. Në këtë shkresë është edhe një imazh në A4 i projektit. Më 25 shtator, Qendra Rajonale kërkesën e Komunës ia ka përcjellë IKMM-së pasi proceduralisht lëndët nga palët shkojnë nëpërmjet QRTK-së.
Pak ditë më vonë më 6 tetor, Komuna e Prishtinës ua ka përcjellë institucioneve të trashëgimisë kulturore edhe një shkresë ku pos përshkrimit se çfarë do të punohet, ka bashkangjitur edhe kontratën me operatorin ekonomik ku për një milion e 14 mijë euro janë marrë vesh për “Ndërtimin e tregjeve të gjelbra”. Kontrata është e nënshkruar më 23 prill të vitit 2025. Projektimi dhe marrëveshja me punëkryesin janë bërë pa e pasur fare lejen e institucioneve të trashëgimisë kulturore. Ndryshe përcaktohet me Ligjin për trashëgimi kulturore.
Ligji për trashëgimi kulturore përcakton se në situata ku zhvillohen punime brenda perimetrit të monumenteve ose në zonën e mbrojtur të tyre duhet leje me shkrim. “Cilado ndërhyrje qё ndikon nё tërësinë ose vlerat e trashëgimisë kulturore, kërkon leje të shkruar nga institucioni kompetent”, përcaktohet në nenin 4 të Ligjit për trashëgimi kulturore. Aty po ashtu bëhet e ditur se institucioni kompetent urdhëron ndaljen e menjëhershme për një periudhë të pacaktuar kohore të çdo lloj pune të paautorizuar në trashëgiminë kulturore.
“Aplikimi për leje për ndërtimin e ndërtesave ose krijimtari tjetër brenda zonës së mbrojtur të një monumenti arkitektural, ose brenda një hapësire konservuese arkitekturale, ose që ndikon nё mjedisin e një asambleje, paraqitet për shqyrtim në institucionin kompetent. Institucioni kompetent ka veto mbi dhënien e një lejeje të tillë. Nëse institucioni kompetent nuk përgjigjet brenda 15 ditëve në lidhje me aplikimin për ndërtimin e ndërtesave ose zhvillimeve të tjera, leja mund të përcaktohet nga autoriteti relevant për planifikim dhe ndërtim”, përcaktohet në nenin 9.
Më datën 6 tetor të vitit 2025, Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë ia ka përcjellë Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve kushtet dhe kriteret e ndërhyrjes në atë zonë. Hapësira njihet dhe kategorizohet si parku i parë publik në Prishtinë që daton nga viti 1936. Është brenda perimetrit të Qendrës Historike të Prishtinës dhe në zonën e mbrojtur të dhjetë monumenteve. Aty sqarohen në detaje studimet që duhet bërë për të ndërhyrë në zona të tilla, si mund të intervenohet, me çfarë materialesh e çfarë etazhiteti. Në ditën e 9 të tetorit, Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumente ka miratuar kriteret e përcaktuara nga QRTK-ja dhe më pas Komunës i është përcjellë vendimi ku renditen krejt kriteret që duhet pasur parasysh për planifikime në zona të tilla. Në kushte normale këto kushte e kritere Komuna është dashur t’i kërkojë ende pa projektuar për atë zonë dhe pa nisur punimet.
Më pas më 23 dhjetor zyrtarët e QRTK-së kanë vërejtur prapë punime. Për këtë kanë përgatitur raport. Punime të paautorizuara prapë janë vërejtur më 15 janar dhe më 10 mars të vitit 2026 dhe për këtë është përgatitur raport.
Në ditën e 11-të të marsit Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore i është drejtuar Prokurorisë Themelore në Prishtinë. E ka njoftuar se gjatë ditëve të vikendit dhe kryesisht orët e vona po punohet për “Ndërtimin e tregjeve të gjelbra”.
“Ky projekt udhëhiqet nga Komuna e Prishtinës, përkatësisht Drejtoria për Investime Kapitale, ku e njëjta nuk ka siguruar pëlqimin nga institucionet e trashëgimisë kulturore, i mungon edhe leja nga vetë kjo komunë. Edhe në këtë rast konsiderojmë se janë përmbushur elementet e veprës penale ‘Ndërtimi pa Leje’ nga neni 359 par. 4 i KPK-së pasi punimet ndërtimore po zhvillohen pa leje në një zonë të mbrojtur të trashëgimisë kulturore”, shkruhet në shkresën që KOHA e ka siguruar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë. Aty sqarohet se duke marrë për bazë se Inspeksioni Komunal i Ndërtimit nuk po vepron për ndalim punimesh, kërkohet nga Prokuroria e Shtetit që të trajtojë me urgjencë këtë rast “dhe të ndërmarrë veprimet për ndalimin e vazhdimit të kryerjes së kësaj vepre penale në bashkëpunim me inspektorët ndërtimorë komunalë”. KOHA është vënë në dijeni se Prokuroria ka nisur mbledhjen e dokumentacionit dhe intervistimin e palëve për këtë rast.
Gjatë ditës së martë ekipi i KOHËS ka vizituar hapësirën. Nëpërmjet syrit të lirë s’krijohet qasje nga asnjëra anë shkaku i dyqaneve dhe rrethojave. Vetëm nëpërmjet birucave të një palë dyerve të llamarinës shihet se aty ka mjete të rënda dhe janë kryer disa punë të vrazhda. Në pasditen e së martës nuk është punuar.
KOHA ka pyetur Komunën e Prishtinës se përse ka nisur punime për “Ndërtimin e tregjeve të gjelbra” brenda Qendrës Historike të Prishtinës pa e pasur projektin të miratuar nga institucionet e trashëgimisë kulturore, se cilët janë hapat e ndërmarrë deri me tani dhe a është duke u punuar në vazhdimësi në atë hapësirë. Por Komuna nuk është përgjigjur.
Komunës së Prishtinës në marsin e vjetëm i janë ndalur punimet e paautorizuara në sheshin “Xhorxh Bush” ku kontrata peshon 18.1 milionë pasi hapësira është midis disa monumenteve dhe në kuadër të zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës. Komuna i ka po ashtu punimet e ndaluara edhe për projektin “Ishulli Urban Arbëri – Pallat i Rinisë”, projekt që ka kosto 6.4 milionë eurosh. Për nënkalimin te “Agim Ramadani” muajin e kaluar i është refuzuar projekti për të dytën herë. Muajin e kaluar menaxhmenti komunal ka marrë leje për të vazhduar punimet në rrugën “Qamil Hoxha” që ishin ndërprerë në majin e vitit të kaluar. Tash aty vazhdojnë punimet.