Pas disa tentimeve për punë pa leje, një serie të shkresave të shkëmbyera e dërgim të lëndës në Prokurori, Komuna e Prishtinës është “bindur” se për treg midis monumenteve e brenda perimetrit të Qendrës Historike, i duhet leje nga institucionet e trashëgimisë kulturore. Tashmë e ka dërguar në Institutin e Kosovës për Mbrojtën e Monumenteve projektin për “Ndërtimin e tregjeve të gjelbra”. “Duket në rregull por vetëm duhen disa sqarime shtesë”, i kanë thënë KOHË-s në IKMM, duke lënë të kuptohet se projekti është drejt miratimit
Komuna e Prishtinës pas disa tentativave për të kryer punime pa leje në disa lokalitete në qytet dhe ndalimit të punimeve e dërgimit të lëndëve në Prokurori, ka nisur të kërkojë të pajiset me lejet e nevojshme nga institucionet e trashëgimisë kulturore.
Rasti i fundit është ai i hapësirës që planifikohet të jetë treg i gjelbër afër ndërtesës së RTK-së. Pas tentimeve dhe realizmit të pak punëve pa leje, Komuna e ka dërguar në Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve projektin për “Ndërtimin e tregjeve të gjelbra”.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoMidis qytetit, një hapësirë e “fshehur” shkaku i dyqaneve përreth, pritet të shndërrohet në treg të gjelbër. Bëhet fjalë për parkun e parë publik në Prishtinë që ka dalje edhe në rrugën “Agim Ramadani”. Por siç vepron zakonisht Komuna viteve të fundit, kontrata me punëkryesin dhe nisja e punimeve janë bërë pa kurrfarë lejeje, megjithëse parcela gjendet brenda perimetrit të Qendrës Historike të Prishtinës dhe në zonën e mbrojtur të dhjetë monumenteve. Prej shtatorit të vitit të kaluar aty kanë nisur punimet për të cilat institucionet e trashëgimisë kulturore s’kanë dhënë pëlqim. Por tash ka ndërruar situata.
“Është dorëzuar projekti në IKMM. Komisioni ka vlerësuar se projektuesi duhet të vijë për t’i dhënë disa sqarime dhe ky rekomandim i është përcjellë Komunës. Projekti në përgjithësi duket në rregull, por vetëm duhen disa sqarime shtesë”, i kanë thënë KOHË-s në IKMM, duke lënë të kuptohet se projekti është drejt miratimit.
Në mars të këtij viti, KOHA ka raportuar për këtë rast bazuar në një numër të madh shkresash zyrtare e dokumentesh. Në shtatorin e vitit të kaluar zyrtarët e Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë do të vërenin se përballë selisë së tyre, në hapësirën ku hyhet vetëm nëpërmjet një palë dyerve të llamarinës, ka lëvizje të makinerisë së rëndë. Në bazë të shkresave që posedon KOHA, punonjësit e QRTK-së do të konstatonin se punëkryesi ka pastruar hapësirën dhe po shtrohej zhavorr. Punëkryesi kishte prezantuar një pëlqim nga Drejtoria e Investimeve Kapitale e Komunës së Prishtinës nëpërmjet të cilit lejohet pastrimi dhe rregullimi i kanalizimit. Pëlqimi të cilin e posedon edhe KOHA tregon qartë se Komuna është në dijeni se hapësira është brenda Qendrës Historike të Prishtinës.
“Nga Komuna nuk kemi pranuar kërkesë për ta adresuar tutje në Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve dhe këto punime po zhvillohen pa pëlqimin e institucioneve kompetente të trashëgimisë kulturore...”, shkruhet në raportin e 9 shtatorit të vitit 2025. Në ditën e 15-të të po atij muaji nëpërmjet një tjetër raporti zyrtarët e QRTK-së vinin në dijeni stafin drejtues se gjatë vikendit janë zhvilluar punime.
“Sot më datë 15.09.2025 gjatë ditës kemi vërejtur se punimet në parcelën nr. 4878-0 në Prishtinë po vazhdojnë të zhvillohen, respektivisht është bërë furnizimi me material për shtrirje të rrjetit të kanalizimit si dhe dyert kryesore për qasje në këtë hapësirë po vazhdojnë të jenë të mbyllura”, shkruhet në Raport.
Tre ditë më vonë Drejtoria e Urbanizimit në Komunë do t’i drejtohej me një shkresë Ministrisë së Kulturës dhe Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Aty bëhet me dije se kanë pranuar një kërkesë nga Drejtoria e Investimeve Kapitale për zhvillimin e punëve ndërtimore për “Ndërtimin e tregjeve të gjelbra”. Në këtë dokument ceken punët që planifikohet të kryhen si pastrimi, betonimi, konstruksione të drurit, metalit, streha, fasadimi, hidroizolimi e të tjera.

“Andaj, duke u bazuar në konstatimin e lartcekur dhe në Ligjin për trashëgiminë kulturore, kërkojmë nga ju që të shqyrtoni këtë kërkesë, në mënyrë që të na njoftoni nëse ndërtesa është në mbrojtje apo jo, dhe të jepni udhëzimet e nevojshme dhe të caktoni kushtet e veçanta për ndërtimin e tregjeve të gjelbra sipas kërkesës në fjalë”, shkruhet në këtë shkresë të protokolluar më 18 shtator 2025. Në këtë shkresë është edhe një imazh në A4 i projektit. Më 25 shtator, Qendra Rajonale kërkesën e Komunës ia kishte përcjellë IKMM-së pasi proceduralisht lëndët nga palët shkojnë nëpërmjet QRTK-së.
Pak ditë më vonë më 6 tetor, Komuna e Prishtinës ua kishte përcjellë institucioneve të trashëgimisë kulturore edhe një shkresë ku pos përshkrimit se çfarë do të punohet, kishte bashkangjitur edhe kontratën me operatorin ekonomik ku për një milion e 14 mijë euro janë marrë vesh për “Ndërtimin e tregjeve të gjelbra”. Kontrata ishte e nënshkruar më 23 prill të vitit 2025. Projektimi dhe marrëveshja me punëkryesin ishin bërë pa e pasur fare lejen e institucioneve të trashëgimisë kulturore. Ndryshe përcaktohet me Ligjin për trashëgimi kulturore sipas të cilit në situata ku zhvillohen punime brenda perimetrit të monumenteve ose në zonën e mbrojtur të tyre duhet leje me shkrim.
“Cilado ndërhyrje qё ndikon nё tërësinë ose vlerat e trashëgimisë kulturore, kërkon leje të shkruar nga institucioni kompetent”, përcaktohet në nenin 4 të Ligjit për trashëgimi kulturore. Aty po ashtu bëhet e ditur se institucioni kompetent urdhëron ndaljen e menjëhershme për një periudhë të pacaktuar kohore të çdo lloj pune të paautorizuar në trashëgiminë kulturore.
“Aplikimi për leje për ndërtimin e ndërtesave ose krijimtari tjetër brenda zonës së mbrojtur të një monumenti arkitektural, ose brenda një hapësire konservuese arkitekturale, ose që ndikon nё mjedisin e një asambleje, paraqitet për shqyrtim në institucionin kompetent. Institucioni kompetent ka veto mbi dhënien e një lejeje të tillë. Nëse institucioni kompetent nuk përgjigjet brenda 15 ditëve në lidhje me aplikimin për ndërtimin e ndërtesave ose zhvillimeve të tjera, leja mund të përcaktohet nga autoriteti relevant për planifikim dhe ndërtim”, përcaktohet në nenin 9.
Më datën 6 tetor të vitit 2025, Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë ia kishte përcjellë Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve kushtet dhe kriteret e ndërhyrjes në atë zonë. Hapësira njihet dhe kategorizohet si parku i parë publik në Prishtinë që daton nga viti 1936. Është brenda perimetrit të Qendrës Historike të Prishtinës dhe në zonën e mbrojtur të dhjetë monumenteve. Në ditën e 9 të tetorit të vjetëm Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumente kishte miratuar kriteret e përcaktuara nga QRTK-ja dhe më pas Komunës i ishte përcjellë vendimi ku renditen krejt kriteret që duhet pasur parasysh për planifikime në zona të tilla. Në kushte normale këto kritere Komuna është dashur t’i kërkojë ende pa projektuar për atë zonë dhe pa nisur punimet.
Më pas më 23 dhjetor zyrtarët e QRTK-së kishin vërejtur prapë punime. Për këtë kishin përgatitur raport. Punime të paautorizuara prapë do të vëreheshin 15 janar dhe më 10 mars të vitit 2026 dhe për këtë është përgatitur raport.
Në ditën e 11-të të marsit të këtij viti Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore i ishte drejtuar Prokurorisë Themelore në Prishtinë. E kishte njoftuar se gjatë ditëve të vikendit dhe kryesisht orët e vona po punohet për “Ndërtimin e tregjeve të gjelbra”.
“Ky projekt udhëhiqet nga Komuna e Prishtinës, përkatësisht Drejtoria për Investime Kapitale, ku e njëjta nuk ka siguruar pëlqimin nga institucionet e trashëgimisë kulturore, i mungon edhe leja nga vetë kjo komunë. Edhe në këtë rast konsiderojmë se janë përmbushur elementet e veprës penale ‘Ndërtimi pa Leje’ nga neni 359 par. 4 i KPK-së pasi punimet ndërtimore po zhvillohen pa leje në një zonë të mbrojtur të trashëgimisë kulturore”, shkruhej në shkresën që KOHA e kishte siguruar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë. Aty sqarohet se duke marrë për bazë se Inspeksioni Komunal i Ndërtimit nuk po vepron për ndalim punimesh, kërkohet nga Prokuroria e Shtetit që të trajtojë me urgjencë këtë rast “dhe të ndërmarrë veprimet për ndalimin e vazhdimit të kryerjes së kësaj vepre penale në bashkëpunim me inspektorët ndërtimorë komunalë”. KOHA është vënë në dijeni se Prokuroria ka nisur mbledhjen e dokumentacionit dhe intervistimin e palëve për këtë rast.
KOHA qysh në mars kishte pyetur Komunën e Prishtinës se përse ka nisur punime për “Ndërtimin e tregjeve të gjelbra” brenda Qendrës Historike të Prishtinës pa e pasur projektin të miratuar nga institucionet e trashëgimisë kulturore. Por Komuna nuk është përgjigjur deri më tash.