Një prej çështjeve që Auditori i Përgjithshëm e ka gjetur në Raportin e Auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore 2024, është se ky institucion ka hyrë në obligime konraktuale pa fonde të mjaftueshme.
Auditori ka gjetur se Komuna kishte lidhur kontratë për ndërtimin e objektit të Qendrës për Punë Sociale me vlerë 2,898,964 euro, me afat për përfundimin e punimeve prej 240 ditësh kalendarike.
Në raport theksohet se sipas Ligjit të Buxhetit, Komuna kishte të ndarë vetëm 1,500,000€ për këtë projekt për periudhën 2024–2026. Kjo thuhet se nënkupton që Komuna ka hyrë në obligime kontraktuale pa mbulesë të mjaftueshme buxhetore, në shumën prej 1,398,964€.
Raporti ka gjetur mospërputhje edhe në dokumentet planifikuese të projektit.
Sipas Auditorit në Deklaratën e nevojave dhe disponueshmërisë së fondeve ishte parashikuar vlera prej 2,916,477€ e cila tejkalon vlerën e buxhetuar të projektit.
Ndërsa në planin e prokurimit për vitin 2024 ky projekt ishte thuhet se planifikuar të realizohej vetëm 500,000€.
Sipas Auditorit kjo ka ndodhur si pasojë e mosfunksionimit të kontrolleve me rastin e inicimit të procedurave të prokurimit, si dhe mungesës se planifikimit të mirëfilltë buxhetor për projekte të caktuara.
Sipas raportit kjo ndikon në rritjen e obligimeve të papagueshme financiare, shpenzimeve të përmbarimit dhe anashkalim të ligjit të buxhetit apo implikimeve buxhetore për vitin aktual dhe vijues.
Auditori ka rekomanduar që kryetari duhet të sigurojë që të gjitha kontrollet e nevojshme funksionojnë gjatë tërë kohës, në mënyrë që para inicimit të procedurave të prokurimit të sigurohet se projektet kapitale janë të përfshira në ligjin e ndarjeve buxhetore dhe se ka fonde të mjaftueshme buxhetore të ndara me ligjin për ndarjet buxhetore për të gjitha kontrata e lidhura.
Në raport thuhet se Komuna e Prishtinës është pajtuar me këtë gjetje.
KOHA ka dërguar pyetje në Komunën e Prishtinës për gjetjet e raportit dhe posa të marrë përgjigje teksti do të përditësohet.
