Arbëri

Auditori çon 69 raste në Prokurori, identifikon mangësi serioze në menaxhimin e fondeve publike

ZKA

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka dërguar tek Prokurori i Shtetit gjithsej 69 çështje të evidentuara në 103 raporte të auditimit financiar dhe pajtueshmërisë për sezonin 2024/2025.

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, tha se këto çështje lidhen kryesisht me dyshime për shkelje dhe parregullsi në prokurimin publik, subvencione dhe transfere, investime kapitale, si dhe paga dhe mëditje.

Ai theksoi gjithashtu se ZKA-ja ka evidentuar probleme të theksuara në mbrojtjen e pasurive natyrore dhe në menaxhimin e energjisë së ripërtëritshme.

Tek ka komentuar auditimin e periudhës 2017-2024 në KOSTT, Ministri të Ekonomisë dhe ZRRE, Halilaj ka thënë se ZKA-ja ka vërejtur se “Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) nuk kishte arritur të menaxhojë Fondin në mënyrë efikase”.

“Janë identifikuar mangësi gjatë fazës testuese të prodhuesve të burimeve të ripërtërishme të energjisë, po ashtu edhe në procesin e organizimit të shitblerjes së energjisë së ripërtërishme si dhe në realizimin e të hyrave për Fondin. Më tutje, Zyra e Rregullatorit të Energjisë nuk ka kryer monitorimin efektiv të Fondit. Ministria e Ekonomisë nuk ka bërë monitorimin e zbatimit të politikave të burimeve të ripërtërishme të energjisë dhe arritjen e caqeve të cilat i kishte vendosur para vitit 2020. Gjetjet kryesore të këtij auditimi janë: mangësi të fazës testuese dhe certifikimit të prodhuesve të energjisë së ripërtërishme, KOSTT-i nuk kishte menaxhuar balancat në mënyrë efikase, Ministria e Ekonomisë nuk ka qenë mjaftueshëm aktive në monitorimin dhe përshtatjen e caqeve karshi zhvillimeve në sektorin e burimeve të ripërtërishme të energjisë”, tha Halilaj.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, prezantoi rezultatet e Raportit Vjetor të Auditimit për vitin 2024, duke bërë të ditur se buxheti i shtetit është mbyllur me suficit, por me sfida serioze në zbatimin e projekteve kapitale.

Ajo ka thënë se shteti ka pasur të hyra mbi 3.2 miliardë euro, apo rritje prej rreth 370 milionë eurosh apo 13 për qind më shumë se një vit më herët. E shpenzimet, sipas saj, ishin afër 3.2 miliardë euro, që përfaqëson 88% të buxhetit final për shpenzime, me një rritje prej 270 milionë eurosh krahasuar me vitin paraprak. Spanca ka përmendur çështjen e planifikimeve dhe zbatimit të projekteve infrastrukturore dhe problemet me shpronësime.

“Bilanci bankar, deficiti buxhetor dhe borxhi publik janë mbajtur brenda kufijve ligjor. Viti 2024 është mbyllur me një suficit buxhetor prej 52.8 milionë euro, ose 0.5% të BPV-së. Sa i përket borxhit publik, në fund të vitit ai ishte 1.7 miliardë euro, që përbën 16.9% të BPV-së. Krahasuar me vitin paraprak, ka pasur një rritje prej 74 milionë eurosh ose 4.5%. Megjithatë, vazhdon të mbetet sfidë fakti se fondet e huazuara nga jashtë nuk janë përdorur me efikasitet, pavarësisht pagesës së interesit huamarrës. Kryesisht kjo, për shkak të problemeve në planifikimin dhe zbatimin e projekteve infrastrukturore, si dhe vështirësive me procesin e shpronësimeve. Projektet e pafilluara apo realizuara nga këto fonde, janë në vijim: për 10 kredi të projekteve në vlerë prej rreth 197 milionë euro, të ratifikuara gjatë viteve 2016-2024, fondet nuk janë tërhequr (disbursuar) fare; ndërsa për 12 kredi të tjera, me vlerë 275 milionë euro, të cilat duhet të përmbyllen deri më 2026, deri në fund të vitit 2024 janë shfrytëzuar vetëm 114 milionë euro apo 42% e mjeteve”, tha Spanca.

Ajo prezantoi edhe gjetjet specifike për komunat. Tha se Komuna e Prishtinës ka shfaqur mangësi serioze në administrimin e pasurisë publike.

“Komuna nuk ka menaxhuar si duhet pronat nën administrimin e saj. Kontrollet e brendshme nuk kanë funksionuar dhe procesi i planifikimit nuk ka qenë i plotë e transparent. Mungon një regjistër i përditësuar i pronave, nuk janë miratuar rregullore të brendshme dhe lista e vitit 2024 nuk është aprovuar nga Kuvendi Komunal. Janë identifikuar raste kur prona është dhënë në shfrytëzim pa respektuar procedurat ligjore dhe pa miratimin e Kuvendit Komunal”, tha Spanca.

Ajo ka përmendur edhe Komunën e Prizrenit për një sërë mangësish, por edhe atë të Gjilanit.

“Auditimi i kryer në Komunën e Prizrenit ka nxjerrë një sërë mangësish, si: mosrespektimi i afateve ligjore nga ofertuesit dhe mosveprimi i komunës për ekzekutimin e sigurimit të ofertës. Vendimet e Kuvendit Komunal për dhënien e pronave pa vlerësimin e ligjshmërisë nga MAPL dhe devijimi nga qëllimi i investimit. Bëhet fjalë për pronën e dhënë me qira në Tregun ‘Bajram Curri’ në Prizren për të cilin MAPL ka konstatuar se vendimi për qiradhënie nuk është në përputhje me dispozitat ligjore duke theksuar anashkalimin e përfitimit ekonomik dhe interesit publik. Për më tepër, pavarësisht qëllimit të dhënies me qira, ZKA ka vërejtur se përfituesi i pronës ka ndërtuar lokale afariste të ndryshme e jo një objekt për ruajtjen dhe konservimin e produkteve bujqësore siç ishte paraparë në kontratë. Dhënia me qira e pronës palëve të treta pa aprovimin e Kuvendit Komunal. Kjo është identifikuar në 8 raste. Menaxhimi jo i mirë i kontratave, mungesa e mbikëqyrjes dhe përdorimi i pronave nga palë të treta pa aprovime kanë cenuar integritetin dhe legjitimitetin e menaxhimit të pasurisë komunale. Informimi i pamjaftueshëm i Kuvendit Komunal mbi kontratat dhe gjendjen e pronave kufizon vendimmarrjen efektive, duke reflektuar menaxhim të dobët, ulë transparencën dhe rrit rrezikun e keqmenaxhimit të aseteve komunale. Po ashtu, edhe në Komunën e Gjilanit ZKA ka identifikuar një sërë mangësish”, tha ajo.

 

ZKA: Mbi 60 mijë euro u dhanë si subvencione për libra pa plotësuar kriteret më 2024

4 o. më parë / 3 sht 2025 12:43
Vlora Spanca

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka bërë të ditur se gjatë auditimit të pasqyrave financiare të Ministrisë së Arsimit për vitin 2024 janë evidentuar parregullsi serioze në procesin e subvencionimit të librave shkollorë. Sipas saj, mbi 60 mijë euro janë dhënë për qytetarë që nuk kanë plotësuar kriteret e përcaktuara, raporton Ekonomia Online.

Ajo nënvizoi se mbikëqyrja e dobët ka sjellë deri te shpërndarja e subvencioneve në mënyrë të padrejtë.

“Për këtë kemi folur edhe në konferencën paraprake, për pasqyrat financiare të MASHT-it për vitin 2024 është publikuar në qershor 2025. Aty kemi prezentuar mangësitë sa i përket çështjeve që ndërlidhen me subvencionimin e librave. ZKA-ja ka identifikuar mbi 60 mijë euro janë dhënë si subvencion apo kanë aplikuar qytetarë të cilët nuk i kanë plotësuar kriteret për fëmijët e tyre që të marrin subvencionimin për libra. Kjo ka ndodhur si pasojë e kontrolleve jo të mira nga Ministria e Arsimit në bashkëpunim me Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit e cila e ka zhvilluar këtë praktikë”, tha Spanca.

Ajo shtoi se ka pasur edhe aplikime të tjera në vlerë 70 mijë euro, që ka qenë e pamundur të identifikohen se për cilën shkollë kanë aplikuar.

Spanca theksoi se tashmë Ministria ka ndërmarrë hapa korrigjues për këtë vit shkollor.

“Po ashtu ka qenë edhe një numër i qytetarëve që kanë aplikuar, vlera e tyre ka qenë 70 mijë euro, nuk mund të themi që nuk i kanë plotësuar kriteret por ka qenë e pamundur se për cilën shkollë kanë aplikuar. Stafi ynë ka biseduar me ministrin dhe aq sa kemi informacione për këtë sezon që ka filluar tashmë viti MASHT ka ndërmarrë hapa në bashkëpunim me nivelin lokal dhe kanë obliguar shkollat në komunë që t’i verifikojnë paraprakisht cilët nxënës vijojnë shkollimin në shkollë”, tha ajo.

Spanca i bëri këto deklarata në një konferencë për media, ku u prezantuan rezultatet e Raportit Vjetor të Auditimit për vitin 2024.