Milionat e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar kanë shkuar edhe te pesë kompani që vjet, e edhe sivjet janë gjobitur, meqë i kanë vonuar produktet e kontraktuara. Në këtë institucion nuk e treguan arsyen pse janë shpërblyer sërish këto kompani me kontrata. E juristë thanë se ato do të duhej të diskualifikoheshin në procese prokurimi dhe të përfshiheshin në listën e zezë
Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar (SHSKUK) ka dhënë kontrata të reja milionëshe edhe për pesë kompani, të cilat nuk e kanë furnizuar me kohë këtë institucion me produkte të kontraktuara më herët.
Sipas dokumenteve zyrtare të publikuara nga SHSKUK-ja, gjatë vitit 2024 janë gjobitur gjithsej 16 operatorë ekonomikë për mosrespektim të kontratave, ndërsa në gjashtëmujorin e parë të 2025-tës, 30 operatorë. Dokumentet tregojnë se shumica e gjobave janë shqiptuar për mosliferim apo vonesa në dorëzimin e produkteve të kontraktuara.
Pavarësisht këtij historiku, pesë kompani janë shpërblyer me kontrata të reja, që kanë vlera të mëdha.
Nga operatorët ekonomikë të gjobitur vitin e shkuar është edhe “Santefarm”, me arsyetimin për mosliferim të produkteve të kontraktuara. Gjobat e shqiptuara ndaj saj janë në lartësinë mbi 13 mijë euro.
Megjithatë, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, kompania është fituese më e madhe për kah vlera e kontratave të lidhura me SHSKUK-në, që arrijnë 4,070,496.00 euro. SHSKUK-ja e ka shpallur fituese të tenderit për medikamentet Sofosbuvir, për Kontrast paramagnetik, për injeksione për sëmundje autoimune dhe injeksione për trajtimin e mungesës së hormonit të rritjes dhe për tableta Tamoxifen dhe Velpatasfir.
“Santefarm” nuk iu përgjigj pyetjeve të KOHËS për vonesat e mëhershme dhe nëse praktikën e njëjtë do ta ndjekë edhe me kontratat e reja.
Edhe “MediHealth” është gjobitur në vitin 2024 me gjashtë gjoba për shkak të vonesave në ofrimin e produkteve të kontraktuara. Gjobat e kanë lartësinë mbi 17 mijë euro. Të tilla i janë shqiptuar edhe gjatë gjashtë mujorit të parë të 2025-tës me vlerë rreth 10 mijë euro.
Pavarësisht kësaj, javën e shkuar “MediHealth” e fitoi një tender emergjent për furnizim me materiale për hemodializë, e që e ka vlerën mbi 300 mijë euro.
As në këtë kompani nuk i treguan arsyet për vonesat e mëhershme në ofrimin e barnave dhe as nëse ato do të përsëriten.
Përgjigje nuk ka kthyer as “Made Kos”, e cila është në listën e operatorëve ekonomikë të gjobitur për mosliferim. Vitin e shkuar ajo është gjobitur me 4 mijë euro, por sivjet ka fituar kontrata në vlerë 1,042,986.76 euro, tri kontrata për furnizim me medikamentin Povidone dhe Iodinë, pastaj me elektroda për EKG për QKMS-në, si dhe për furnizim me materiale, si shiringa dhe veshje kirurgjikale.
Edhe operatori ekonomik “Deltapharma” është gjobitur vitin e shkuar me 7 mijë e 400 euro, e edhe sivjet me 3 mijë euro.
Por në gjashtëmujorin e parë të këtij viti SHSKUK-ja e ka shpërblyer këtë kompani me tri kontrata, vlera e të cilave është 983,798.73 euro. “Deltapharma” i ka fituar dy tenderë për furnizim me tableta të formës së fortë orale “Trametinib” dhe “Dabrafenib” dhe një tender tjetër për furnizim me tretësira infuzioni.
“Meditech” është një kompani tjetër që rezulton të ketë gjoba për vonesa në dorëzim produktesh medicinale. Pas penalizimit, ajo është obliguar të paguajë 2 mijë e 700 euro.
Por, në vitin 2025, SHSKUK-ja me këtë kompani ka lidhur kontrata në vlerë mbi 1 milion euro, duke e shpallur fituese atë në dy tenderët për koncentrat për tretësirë për infuzion, dhe në dy tenderë për tableta të forta orale. Kjo kompani i ka fituar edhe tre tenderë për furnizim me barna esenciale.
Në një përgjigje me shkrim, kompania “Meditech” i arsyetoi vonesat gjatë vitit 2024, duke theksuar se ato janë ndikuar nga mungesa globale.
“Shkaqet konkrete të vonesave në disa raste në vitin 2024 lidhen me: Mungesën globale të substancës aktive për disa barna, e cila ka ndikuar në të gjithë zinxhirin furnizues në nivel ndërkombëtar, Kontrolle shtesë të brendshme të cilësisë nga ana e prodhuesve, për arsye sigurie, të cilat kanë vonuar lëshimin për transport derisa janë siguruar të gjitha certifikatat zyrtare dhe lirimit të serisë, të kërkuara sipas standardeve të BE-së”, thuhet në përgjigjen e kompanisë. “Kompania jonë gjithmonë ka qenë e angazhuar maksimalisht që t’u përgjigjet në afate rekorde kërkesave nga autoritetet dhe gjithmonë do të vazhdojmë, përveç rasteve të mungesës globale të barnave të caktuara”.
Juristi Fitim Klinaku vlerëson se operatorët që nuk i respektojnë kontratat, duhet të listohen e institucionet e shëndetësisë duhet të sigurojnë që në tenderë të kualifikohen vetëm kompani pa shkelje të mëparshme.
“Ministria e Shëndetësisë duhet që çdo operator që nuk i përmbahet kontratës, ta paraqesë në KRPP, në mënyrë që të iniciohen procedurat e nevojshme për listimin e tyre si të papërshtatshëm për kontraktim”, ka thënë juristi Klinaku.
Ministria e Shëndetësisë, dhe as SHSKUK-ja nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS përkitazi me shpërblimin e kompanive të gjobitura më herët dhe që kanë precedentë me vonesë në ofrimin e produkteve të kontraktuara. Përgjigje nuk i kanë dhënë as pyetjes se kush mban përgjegjësi, nëse praktika e mosfurnizimit në kohë përsëritet dhe rrezikohet shëndeti i pacientëve.