Kanë kaluar 13 ditë qëkur është nënshkruar kontrata për shpërndarjen dhe për montimin e 4 mijë e 250 pajisjeve të blera për persona në karrocë, porse Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar nuk e ka dërguar ende asnjë porosi tek operatori ekonomik i kontraktuar për këtë synim, në një vlerë prej 123 mijë e 134 eurosh.
Në dosjen e tenderit afati i shërbimit ka qenë 10 ditë kalendarike që nga marrja e porosisë për instalimin e pajisjeve, por një kërkesë e tillë nuk i është bërë shoqatës “Handikos”, edhe pse kontrata me të është nënshkruar më 4 dhjetor.
Afrim Maliqi, drejtori i shoqatës “Hendikos” që edhe i ka hartuar specifikat e tenderit prej rreth 6.5 milionë eurosh për blerjen e këtyre pajisjeve, ka thënë se bazuar në informatat që i posedon, SHSKUK-ja ende nuk e ka caktuar menaxherin e kontratës.
“Jemi dakorduar dhe më datë 4.12.2025 është nënshkruar kontrata. Sipas tyre, ata tani do ta vendosin një menaxher kontrate për të cilin do të na njoftojnë dhe më pas ne do të koordinohemi për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me pajisje. Deri më tani asnjë kërkesë/porosi nuk është bërë dhe po besoj se arsyeja qëndron te emërimi i menaxherit nga ana e SHSKUK-së”, ka thënë Maliqi.
Në faqen e prokurimit publik nuk është ngarkuar as kontrata. Përditësimi i fundit nga SHSKUK-ja në këtë faqe është ai i datës 28 nëntor, kur është publikuar njoftimi për dhënie të kontratës.
Sipas rregullores së prokurimit publik, menaxherin e kontratës e cakton zyrtari kryesor administrativ, që në rastin e SHSKUK-së është drejtori i përgjithshëm, Elvir Azizi.
Sipas rregullores, plani për menaxhimin e kontratës duhet të përgatitet jo më vonë se pesë ditë pas nënshkrimit të saj.
Në SHSKUK nuk kanë dhënë sqarime lidhur me arsyet e moscaktimit të menaxherit të kontratës dhe për moslëshimin e urdhërblerjeve.
SHSKUK-ja e ka nisur procesin e aplikimit për përfituesit në qershor, pas raportimit të KOHËS se pajisjet nuk janë shpërndarë tek personat në nevojë as për gati një vit pas blerjes.
Produktet si: karroca speciale për fëmijë, karroca elektrike, karroca tualeti, paterica të ndryshme e pajisje të tjera, kanë mbetur në bodrum të QKUK-së, edhe pse ka kaluar mbi një vit nga kontraktimi i tyre.
Kompania që e fitoi tenderin do ta bëjë shpërndarjen dhe montimin e pajisjeve në të gjithë Kosovën, do t’i përshtatë ato sipas nevojave të përdoruesve, do të ofrojë trajnim për përdorim dhe do të raportojë rregullisht për punën e kryer.