Arbëri

SHSKUK-ja i jep kontratë Handikosit për shpërndarjen dhe montimin e 4 mijë e 250 pajisjeve

Persona me aftësi të kufizuara

Foto: Ilsutrim

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i ka dhënë kontratë Handikosit për shpërndarjen dhe montimin e 4 mijë e 250 pajisjeve për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë. Kjo u bë e ditur në faqen e prokurimit publik, në të cilën të premten SHSKUK-ja ka publikuar njoftimin për dhënien e kontratës.

Bazuar në të, SHSKUK-ja do ta paguajë shoqatën Handikos 123 mijë e 134 euro për të shpërndarë dhe montuar pajisjet që i bleu në vlerë gati 6.5 milionë euro, e të cilat prej më shumë se një viti po mbahen në bodrum.

Pas raportimit të KOHËS në muajin maj se këto pajisje nuk kanë mbërritur tek personat në nevojë, SHSKUK-ja në qershor hapi procesin e aplikimit për përfituesit. E që nga shtatori, ky institucion i ka shkelur dy afate për shpërndarjen e pajisjeve.

Në shoqatën Handikos nuk pranuan të japin informacione se kur do të nisë shpërndarja e pajisjeve pasi thanë se ende nuk kanë nënshkruar kontratën.

E bazuar në dosjen e tenderit, 10 ditë kalendarike është afati i shërbimit nga marrja e porosisë për instalimin e pajisjes. Tutje thuhet se kompania që e fiton tenderin do t’i shpërndajë dhe do t’i montojë pajisjet në të gjithë Kosovën, do t’i përshtatë ato sipas nevojave të përdoruesve, do të ofrojë trajnim për përdorim dhe do të raportojë rregullisht për punën e kryer.

Produktet, si karrocat speciale për fëmijë, karrocat elektrike, karrocat tualeti, paterica të ndryshme e pajisje të tjera kanë mbetur në bodrum të QKUK-së edhe pse ka kaluar mbi një vit nga kontraktimi i tyre.

KOHA raportoi në muajin qershor se këto pajisje, nëpërmjet një procesi prokurimi, SHSKUK-ja i ka blerë me çmim shumë më të lartë se që lejohet me Udhëzim Administrativ. Një bastun i thjeshtë, i cili në tregun online kushton nga 3 deri në 6 euro, është blerë për 98 euro. Ky çmim është dyfish më i lartë sesa çmimi maksimal i përcaktuar me udhëzim administrativ dhe 16 herë më i shtrenjtë sesa mund të porositet online.