Afro 1 milion e gjysmë euro i ka kushtuar vitin e shkuar SHSKUK-së blerja e një aparati të ri për rrezatimin e pacientëve të sëmurë me kancer. As pas gjashtë muajsh që nga nënshkrimi i kontratës, aparatura nuk është vënë në përdorim si pasojë e mungesës së një bunkeri ku do të vendosej, për të mos i rrezikuar nga rrezatimi pacientët dhe stafin. E në SHSKUK konfirmuan se ende nuk është caktuar hapësira e vendosjes së aparaturës
Janë bërë më se gjashtë muaj prejse SHSKUK-ja ka blerë një pajisje të re për rrezatimin e pacientëve me kancer, në vlerë prej afro 1 milion e gjysmë eurosh. Por, që atëherë akseleratori linear ende nuk është vënë në dispozicion të pacientëve, si pasojë e mungesës së një vendi ku do të vendosej.
Njësia mbrapa e Klinikës së Onkologjisë shërben për rrezatimin e pacientëve të sëmurë me kancer. Megjithatë, jo të gjitha aparaturat janë në funksion. Një nga aparaturat e rrezatimit nuk është futur ende në funksion, edhe pse në vlerë milionëshe.
Në një përgjigje me shkrim për KOHËN, në SHSKUK konfirmuan se ende nuk është definuar hapësira për aparaturën.
“S’është e përgatitur apo e definuar infrastruktura fizike, ku do të instalohet pajisja e re për radioterapi”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.
Krahas kësaj, kanë thënë se nuk janë definuar as veprimet që do të ndërmerren rreth shfrytëzimit të pajisjes së blerë.
“Është diskutuar dhe pritur donacion për ndërtim të bunkerit, mirëpo ku ka mbetur ky proces, informacionet mund të merren nga Zyra e donacioneve, Klinika e Onkologjisë apo nga DP e SHSKUK-së. Ndërtimi i bunkerit për akselerator është paraparë si pozicion në planifikimin e prokurimit për vitin 2023”, ka thënë Drejtoria e SHSKUK-së.
SHSKUK-ja aktualisht ka në dispozicion dy akseleratorë, njëri prej të cilëve është shumë i vjetër. Burime të KOHËS thanë se ai brenda disa muajsh më as nuk do të mund të servisohet.
Sipas këtij burimi, numri i rrezatimeve që kryhet me këtë akselerator është i vogël në krahasim me atë që do të mund të mbulohej me pajisjen e re. Por, në SHSKUK kanë deklaruar që nuk mund të paragjykojnë një gjë të tillë.
Të dy akseleratorët në përdorim janë të vendosur në bunkerë, hapësira këto të veçanta për pajisjet e rrezatimit që sigurojnë mbrojtje si për pacientët që e marrin ashtu edhe për personelin mjekësor që e ofron shërbimin.
Në fillim të 2021-tës, QKUK-ja pati pranuar edhe një akselerator tjetër dhe edhe atëherë pati mungesë të hapësirës për vendosjen e tij. SHSKUK-së iu deshën tre vjet për ta përgatitur bunkerin për këtë pajisje.
Numri i pacientëve të diagnostikuar me sëmundje malinje është në rritje të vazhdueshme. Në vitin 2022 pati raste të shumta kur që të dyja aparaturat ishin jashtë funksionit, duke ndikuar që pacientëve t’u shtyhet cikli i rregullt dhe obligues i rrezatimit.