Shërbimi Spitalor e Klinik Universitar për gjysmë viti i ka privuar pacientët me kancer nga furnizimi falas me ilaçet që u përfshinë në listën e barnave esenciale që prej fundvitit të kaluar. Derisa barnat për terapi mungojnë, pacientët detyrohen që t’i blejnë vetë ato me çmim të lartë. Një nga pacientet ka rrëfyer se si pasojë e vonesës nga institucionet, nuk mundi ta marrë në kohë terapinë
Pacientët me kancer tash e gjashtë muaj janë në pritje të ilaçeve që Shërbimi Spitalor e Klinik Universitar do të duhej t’ua siguronte.
Dy produkte të reja për trajtimin e kancerit të melanomës ende nuk janë siguruar për pacientët, ndonëse prej dhjetorit të vitit të kaluar janë përfshirë në Listën e barnave esenciale.
Njëra nga pacientet, në kushte anonimiteti, ka thënë se prej më shumë se një viti i siguron vetë ilaçet “Trametinib” dhe “Dabrafenib”.
“Kjo shkon bashkë. Edhe injeksioni edhe tabletat. E blej një herë në katër javë. D.m.th. tabletat janë 21 copa, i pi. Ato ditë e marr injeksionin dhe filloj me tableta, edhe pas 21 ditësh pushoj një javë edhe prapë kjo rutinë është tash e 13 muaj. Në fillim i kam ble të dyja 450 euro, e herën e fundit i kam ble 500 euro të dyja. Bile pak më kanë bërë zbritje në barnatore se kushtojnë më shumë”, ka thënë ajo.
Paso kostoja e terapisë është e vështirë për t'u përballuar, ajo ka thënë se gjatë javës së shkuar nuk ka arritur ta marrë në kohën e caktuar.
“E kam pasur terminin me e marrë, por po dua të pres edhe një javë, te shoh. Po pres, nuk i kam siguruar krejt mjetet, edhe po pres edhe për atë se qysh mi kanë siguruar familjarët deri tash, edhe këto m’i sigurojnë se shumicën i kam, por po pres, ndoshta në fillim të korrikut mos po vjen terapia. Edhe pak për shkak të mjeteve, pak për ata, kështu që dua të presë edhe një javë”, ka shtuar ajo.
Ndonëse më 16 dhjetor 2024, MSH-ja e përditësoi Listën e barnave esenciale, SHSKUK-ja, që është përgjegjëse për blerjen e tyre, i ka filluar procedurat e kontraktimit tek në fund të muajit prill.
Dy kontrata për furnizim me këto dy produkte janë nënshkruar tek para një jave.
Pavarësisht kësaj, ilaçet nuk mund të mbërrijnë te pacientët së paku edhe një muaj, pasi porosia e parë, pas nënshkrimit të kontratës, do të jetë 30 ditë kalendarike nga marrja e urdhër blerjes.
Sipas një përgjigje që SHSKUK-ja ia ka dhënë KOHËS ditë më parë, porosia ende nuk është ekzekutuar.
“Pas nënshkrimit të kontratës, urdhër-blerja pritet të realizohet menjëherë pas përfundimit të procedurave të brendshme të parapara me ligj, për ta mundësuar sa më parë furnizimin dhe ofrimin e këtyre barnave për pacientët që kanë nevojë”, thuhet në përgjigje.
Në këtë institucion janë arsyetuar se në kohën kur barnat u përfshinë në listën esenciale, plani vjetor i prokurimit për vitin 2025 ishte i përfunduar.
“Që nga 1 shkurti 2025, SHSKUK-ja ka filluar ta zbatojë Listën e re Zyrtare të çmimeve të barnave, ndërkohë që janë ndërmarrë hapa konkretë për plotësim-ndryshimin e planit të prokurimit, me qëllim që të përfshihen edhe produktet që janë shtuar së fundmi në listën esenciale, gjithmonë duke u koordinuar me buxhetin e parashikuar për këtë vit”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.
Sipas kontratës së nënshkruar më 17 qershor, SHSKUK-ja i ka kontraktuar 3 mijë e 600 copë/njësi të produktit “Trametinib” dhe 13 mijë e 440 copë të “Dabrafenib”, në vlerë totale 1 milion euro.