Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Qëndroi një vit pa u përdorur, Vitia mburret me investimin 1.4 milionësh në Onkologji

Rreth një vit pas nënshkrimit të kontratës për blerjen e aparatit të ri për rrezatimin e pacientëve të sëmurë me kancer, akseleratori linear “së shpejti do të jetë në shërbim” në Klinikën e Onkologjisë, kanë thënë ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, e drejtori i Klinikës, Ilir Kurtishi. Aparati ka kushtuar 1.4 milionë euro, e pavarësisht vonesave në funksionalizim, Vitia e Kurtishi e kanë cilësuar si vendosje “në afat rekord”.

KOHA pati shkruar në shkurt se aparatura s’ishte vënë në përdorim si pasojë e mungesës së një bunkeri ku do të vendosje, për të mos i rrezikuar pacientët dhe stafin nga rrezatimi.

“Në Klinikën e Onkologjisë investimi i ri është në vlerën 1 milionë e 444 mijë euro. Së shpejti për qytetarët tanë që janë pacientë në Onkologji, do të jetë në shërbim akseleratori i ri. Ky projekt po përfundon para afateve të planifikimit. Vazhdojmë transformimin klinikë për klinikë”, ka shkruar ministri Vitia në Facebook.

Ndërsa i kontaktuar nga KOHA, Kurtishi ka bërë të ditur se në maj është hequr aparati i vjetër dhe është montuar i riu.

“Nuk është vënë në funksion. Është montuar, ndërsa do të vihet në funksion në afat rekord gjatë muajit gusht”, ka thënë ai.

Edhe Kurti lavdërohet për funksionalizimin e akseleratorit, paratë për blerjen e të cilit vjet shkuan në suficit LAJMET E MBRËMJES Kurti lavdërohet për funksionalizimin e akseleratorit, paratë për blerjen e të cilit vjet shkuan në suficit

S’është hera e parë që Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës është përballur me vonesa në përgatitje të bunkerëve për këso pajisje. Në fillim të 2021-tës, QKUK-ja pati pranuar edhe një akselerator tjetër dhe edhe atëherë pati mungesë të hapësirës për vendosjen e tij. SHSKUK-së iu deshën tre vjet për ta përgatitur bunkerin për këtë pajisje.

Numri i pacientëve të diagnostikuar me sëmundje malinje është në rritje të vazhdueshme. Në vitin 2022 pati raste të shumta kur që të dyja aparaturat ishin jashtë funksionit, duke ndikuar që pacientëve t’u shtyhet cikli i rregullt dhe obligues i rrezatimit.