Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti: Listat e pritjes në Onkologji do të largohen brenda këtij viti

Listat e pritjes në Klinikën e Onkologjisë do të largohen deri në fund të vitit, ka thënë kryeministri Albin Kurti, pas vënies në funksion të pajisjes për rrezatimin e pacientëve të sëmurë me kancer.

Ai para gazetarëve tha se akseleratori i dytë është i teknologjisë moderne dhe do të bëjë rrezatimin me saktësi maksimale duke mos dëmtuar indet anësore.

“Kjo teknologji e fundit i përshtatet sipërfaqes së tumorit dhe në këtë mënyrë arrijnë që mos të bëjë dëmtime anësore...Në kohë rekord kanë arritur të bëjnë instalimin dhe montimin e kësaj pajisje, këtij akseleratori të dytë nga i cili do të përfitojnë të gjithë pacientët. Deri tash koha e pritjes për pacientët ka qenë gjashtë deri në tetë javë, ndërkaq sipas drejtorit Ilir Kurtishi kjo koha do të vjen në zero me shumë gjasa brenda këtij viti”, tha ai.

Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se në Klinikën e Onkologjisë do të investohen edhe 2 milionë euro në përmirësimin e infrastrukturës.

Ai shtoi se pritjeve me orë të tëra të pacientëve në këtë klinikë po iu vjen fundi, pasi do të rriten edhe kapacitetet e shtretërve.

“Në Klinikën e Onkologjisë deri në fund të këtij viti do të investohet mbi 2 milionë euro në infrastrukturë. Përveç përmirësimin në kushtet momentale do të ketë edhe zgjerim të kapaciteteve. Pritjet me orë të pacientëve për të marrë shërbimet e tyre do të minimalizohen në maksimum pasi do të ketë shtretër të nevojshëm për të marrë kimioterapinë e nevojshme por edhe shërbime të tjera për të cilat vijnë pacientët në këtë klinikë”, theksoi Vitia

Edhe Kurti lavdërohet për funksionalizimin e akseleratorit, paratë për blerjen e të cilit vjet shkuan në suficit LAJMET E MBRËMJES Kurti lavdërohet për funksionalizimin e akseleratorit, paratë për blerjen e të cilit vjet shkuan në suficit

Ndërsa drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, tha se nevoja për trajtim jashtë Kosovës tashmë do të jetë minimale, pasi sipas tij, pacientët do ketë trajtim modern dhe meritor.

“Me këtë investim në aparaturën e re pacientët tanë do të kenë trajtim modern dhe meritor. Ne për herë të parë në Kosovë do të përdorim edhe një teknikë të re të rrezatimit, e cila quhet “streo-taksik” dhe e cila bëhet për forma të veçanta të tumoreve të lokalizuara në tru apo vende të tjera të trupit. Nga viti tjetër pacientët që e kanë marrë këtë shërbim jashtë Kosovës tani do të merr në Kosovë”, theksoi Kurtishi.

Në anën tjetër, kryeministri Kurti me gjithë insistimin e gazetarëve nuk pranoi të përgjigjet rreth dialogut dhe situatës në veri të vendit./KosovaPress/