Shqipëria pritet të lëshojë vitin tjetër dy satelitë në hapësirë, “Albania 1” në muajin mars dhe “Albania 2” në muajin qershor, duke u radhitur kështu krahas vendeve që kanë një “sy” në hapësirë. Lajmi është dhënë nga kryeministri Edi Rama, i cili postoi një video të një bisede më një nga ekspertët e kompanisë SpaceX, për mënyrën se si do të bëhet lëshimi i satelitit.
Kryeministri Rama në bisedën e tij me përfaqësuesin e kompanisë SpaceX, nuk i bëri me dije afërsisht kostot e lëshimit të satelitëve me SpaceX Falcon 9. Megjithatë, sipas mediave në Shqipëri, një gjë e tillë kushton rreth 62 milionë dollarë. Çmimi për një lëshim të Falcon 9 mund të ndryshojë shumë në varësi të asaj që kërkon një klient.
Rama pak ditë më parë deklaroi ambicien që Shqipëria do të ketë dy satelitë në orbitë. Ambicien për të patur dy satelitë në orbitë ‘Albania1’ dhe ‘Albania2’, Rama e bëri me dije në Kuvend, duke shkaktuar edhe të qeshura në radhët e opozitës. Basha reagoi me ironi duke thënë se kjo është taktikë për të ruajtur statuskuonë.
Satelitët artificialë janë pajisje të cilat shërbejnë për transferim të të dhënave anembanë rruzullit tokësor. Ata janë objekte të ndërtuara nga njeriu, të cilat janë të vendosura në orbitë nga largësia 2.000 deri në 35.000 km nga sipërfaqja e Tokës.